Dy ditë pas ndërhyrjes që aktori i mirënjohur i skenës shqiptare Genc Fuga realizoi në një nga spitalet private në Tiranë, mësohet se ai aktualisht është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Ky detaj mësohet nga miqtë e aktorit, por në të njëjtën kohë bëhet me dije se mjekët po monitorojnë ecurinë të paktën derisa të kalojnë 48 orë nga ndërhyrja që cilësohen edhe orët më të rrezikshme.
Fuga iu nënshtrua një operacioni të vështirë, pasi pësoi një goditje cerebrale. Ishte bashkëshortja e tij, aktorja e regjisorja Eni Jani, e cila apeloi për ndihmë me anë të rrjeteve sociale. Ajo kërkoi ndihmë për mbledhjen e shumës prej 19 mijë eurosh, të nevojshme për ndërhyrjen në një spital privat.
Në një kohë rekord, brenda pak orësh nga apeli i bërë nga Eni Jani, shuma e kërkuar u sigurua. Jo vetëm kaq, por u mblodhën 43 mijë nga dhurimet përmes aplikacionit gofundme. Rreth 1200 qytetarë kontribuuan për shërimin e Fugës, mes të cilëve artistë, kolegë aktorë dhe personazhe publike në shuma të ndryshme.