Bien për herë të parë pas 6 vitesh çmimet e apartamenteve në Shqipëri

Për herë të parë që nga viti 2015, indeksi Fischer në tregun e banesave në Shqipëri pësoi një rënie me 9% gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit të kaluar, bëhet e ditur nga Raporti i Stabilitetit Financiar të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Banka e Shqipërisë vërejti se rënia e këtij tremujorit mund të jetë një fazë normalizimi pas rritjes dramatike me 28% në gjashtëmujorin e parë. Në terma vjetorë, çmimet e banesave mbeten më të lartat në histori dhe në krahasim me gjashtë vjet më parë, janë sërish gati dy herë më të shtrenjta.


Matja e çmimit të banesave është një problem kompleks i ekonomiksit dhe vetë treguesi i raportuar nga Banka e Shqipërisë mund të mbartë të dhëna çorientuese. Banka vëren se rritja prej 28% në gjashtëmujorin e parë dhe rënia prej 9% në gjashtëmujorin e dytë ka prodhuar gjithsesi një rritje vjetore prej 17% ndërsa luhatja brenda vitit mund të jetë më shumë pasojë e llojit të informacionit statistikor të grumbulluar për të llogaritur indeksin se sa luhatshmërisë reale.

“Duhet theksuar se çmimet e vlerësuara në gjashtëmujorin e kaluar u diktuan ndjeshëm nga numri i lartë i raportimeve për shitje në zona me çmime relativisht më të larta, ndërkohë që për gjysmën e dytë të vitit shpërndarja e shitjeve sipas zonave, llojit dhe vlerës së banesave është disi më heterogjene,”- shkruhet në raport.

Indeksi krijohet në bazë të një anketimi të kryer nga BSH me rreth 230 shoqëri ndërtimi dhe agjenci ndërmjetësimi.

Çmimet e pronave të patundshme në Shqipëri janë rritur më mënyrë dramatike duke filluar nga gjashtëmujori i parë i vitit 2018. Para kësaj, çmimet kanë qenë në përgjithësi stabël, duke filluar nga viti 2013, kur Indeksi Fischer filloi të ndërtohet nga ekspertët e BSH.

Përgjatë periudhës në të cilën çmimet janë rritur, Shqipëria nuk ka pasur ndonjë rritje ekonomike në të njëtin ritëm për të sugjeruar se rritja në tregun e pronave të patundshme të jetë produkt i ecurisë së përgjithshme të ekonomisë. Përkundrazi, çmimi i banesave është dyfishuar ndërsa ekonomia është rritur me vetëm 21% në terma nominalë mes viteve 2017 dhe 2022. Për rrjedhojë, dyfishimi i çmimit të banesave përkundrejt rritjes me 21% të ekonomisë së gjerë, sugjeron se çmimi i banesave ndikohet nga faktorë të tjerë, të tillë si paratë e krimit apo të korrupsionit, të cilat kanë shkaktuar pabarazi, ku ekonomia e disave është forcuar aq shumë sa të shkaktojë dyfishimin e çmimeve të pronave ndërsa ekonomia e të shumtëve nuk është rritur./BIRN

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *