Investimet në toka e troje të bizneseve shënuan një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2021.
Të dhënat e INSTAT në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve tregojnë se në vitin 2021 bizneset në të gjithë vendin investuan në blerjen e tokave rreth 20 miliardë lekë (172 milionë euro), nga 9.3 miliardë lekë që ishin në vitin 2020 me një rritje 116%.
rritja e çmimeve të banesave po orienton investimet drejt sektorit të ndërtimit. Blerja e tokave është një proces përgatitor për të ndërtuar ose për të investuar në një formë tjetër.
Shumë biznese po çojnë fondet e lira në blerjen e tokave, të cilat më pas i kanë si mjet qiradhënie kundrejt investimeve për energji të rinovueshme (parqe diellore) apo sera që zhvillohen në bashkëpunim me të huajt.
Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, tregu i tokave në vendin tonë vuan nga çështjet ligjore, fragmentarizimi, bashkëpronësia.
Sipas agjentëve, problematika e trojeve nis që me mungesën e informacionit që ka pronari mbi tokën që zotëron, problematika me kufijtë e papërcaktuar mirë apo ku sipërfaqja në letra me sipërfaqen në reale është e ndryshme./Monitor/