Në brigjet e liqenit të Zyrihut ndodh e pabesueshmja.Kamarierët për sezonin e verës arrijnë të fusin në xhep aq të ardhura sa mund të përballojnë jetesën pa punuar për të gjithë muajt e vjeshtës, për t’mos thënë gjithë vitin. Disa betohen se kanë fituar deri në 16,500 franga – afro 17,250 euro – vetëm në muajin qershor. Pa llogaritur shpenzimet.Në realitet, megjithatë, një çështje e tillë ha debat, pasi rastet që shërbimi të arrijë të fitojë shuma kaq marramendëse janë mjaft të izoluara.
Shkak për fitimet e majme në këtë rast, sipas Corriere Della Sera, është bërë strategjia e ndjekur nga dy sipërmarrës zviceranë, të cilët pasi u përballën me mungesën e stafit vendosën që të indeksojnë pagat e punonjësve në varësi të xhiros së bizneseve.Punonjësit e servisit të tavolinave meshkuj dhe femra kanë grumbulluar, pa TVSH, midis 7 dhe 8% (përqindja ndryshon nga vendi në vend) të arkëtimit total mujor për person.
Michel Péclard, njëri prej biznesmenëve shpjegoi se të gjithë kamerierët që punojnë në bizneset e tij, marrin nga 8 deri në 12 mijë franga në muaj; pa përfshirë këtu pagën minimale prej 3750 frangash të garantuar në kontratë. Kjo strategji, sipas tij, e nxit të gjithë stafin që të punojë njësoj sikur restoranti të ishte i tyre. “Ndërkohë rroga prej 16,500 është më e larta deri më tani, e fituar nga një kamerier”- thotë Péclard.
Megjithatë, strategjia e ndjekur nga dy pronarët e disa restoranteve në këtë zonë, nuk është e duhura shprehen përfaqësues të shoqatës tregtare GastroSuisse. “Pagat e bazuara në qarkullimin e të ardhurave mund të jenë sigurisht një zgjidhje”- tha presidenti i GastroSuisse Casimir Platzer, ndërsa e cilësoi rastin tejet shpërqëndrues dhe jo profesional.
Platzer argumenton se nuk mund të imagjinohet shtrirja e këtij modeli në të gjithë fushën pasi në restorantet e vetëshërbimit, ndër të tjera, mungojnë kushtet e përshtatshme dhe “çdo restorant duhet të vlerësojë nëse kjo zgjidhje është adekuate apo jo”.Unia, sindikata ndërprofesionale zvicerane, thotë se nuk është kundër “faktit që pagat më të larta paguhen në varësi të xhiros“, por duhet bërë një pyetje: “A marrin bashkëpunëtorët një pjesë të arsyeshme të fitimeve? Po pronari i resorantit a kufizohet ai në transferimin e rrezikut të tij të biznesit tek të tjerët?”.Zona e Liqenit të Zyrihut në Zvicër është më e frekuentuara nga turistët, kryesisht italianë, dhe jo vetëm.