Prestigjozja britanike DailyMail i ka kushtuar një artikull tiktok-erit shqiptar, Kozak Braçi.
Një influencues shqiptar i njohur si ‘Mbreti i Instagramit’ u jep ndjekësve të tij këshilla se si të futen fshehurazi në Britani dhe të fitojnë ‘6000 £ në muaj’ duke punuar në tregtinë e paligjshme të drogës.
Kozak Braci, i cili ka më shumë se gjysmë milioni ndjekës në TikTok dhe Instagram, kryente lidhje të drejtëpërdrejta LIVE me persona në fermat e kanabisit ndërsa diskutonte me ata se si të përfitohet nga kriminaliteti në Mbretërinë e Bashkuar.
“Është bukur të qëndrosh në shtëpitë e barit. Mund të jetoj atje pa problem”, u thotë ai shikuesve në një nga klipet.
Në një video tjetër del Braçi duke pyetur një ‘ekspert’ të kontrabandës se si mund të hyjnë fshehurazi në Britani brenda një kamioni.
“Ju e dini se ka shumë vëllezër dhe motra në vështirësi. A mund të tregoni se si të shkoni atje pa u vënë re, pa u zbuluar? Si e bëjnë këtë?’ pyet ai.
Graham Wettone, një ish-oficer i Policisë Met, të cilit iu shfaqën videot nga Express, i përshkroi ato si ‘lavdërim të prodhimit të drogës në MB’ dhe ‘joshje’ të kriminelëve të mundshëm në Britani.
Braçi pretendon se fiton 25,000 £ në muaj nga llogaritë e tij në rrjetet sociale dhe ndan rregullisht fotot e tij duke pozuar me makina të shtrenjta dhe veshje të modës së fundit.
Influencuesi, i cili ka tatuazhe të armës së famshme kallashnikov AK-47 në gjoks dhe në krahun e djathtë, shihet në një foto tjetër i veshur me një fanellë të Chelsea-it përballë një Audi të kuqe.
Dr Alexandros K Antoniou, një ekspert në ligjin e mediave sociale në Universitetin e Essex, tha se ishte ‘e habitshme’ që Instagrami jo vetëm që e la Braçin të ndajë përmbajtje të lidhura me drogën, por e la atë të bëhej një nga yjet më të mëdhenj në Shqipëri në platformën e tij.
Braci u gjurmua nga Express në një bllok banesash të epokës komuniste në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Ai tha se ai nuk e përkrah krimin dhe tha se disa nga bashkatdhetarët e tij kishin shkuar për të shitur drogë në Britani “për shkak të një jete të mbushur me vështirësi”.
Në fillim të këtij viti doli se Home Office ka në plan të fillojë të paguajë influencuesit shqiptarë për t’u thënë ndjekësve të tyre që të mos vijnë ilegalisht në Britani.
Gangsterët shqiptarë tani ushtrojnë ‘kontroll të konsiderueshëm’ mbi tregun e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, me kriminelët e dhunshëm që importojnë drogën nga homologët e tyre në kontinentin e Evropës përmes porteve në Anglinë juglindore.
Bandat famëkeqe përfshijnë Hellbanianz, e cila është e vendosur në Londrën Lindore.
Së fundmi doli se 80 emigrantë shqiptarë janë dënuar me gjithsej 130 vite burg gjatë katër muajve të parë të vitit.