Dalin pamjet e papublikuara nga vrasja e Egli Progës, qytetarët e mbajnë në krahë drejt ambulancës

Më shumë se dy muaj pas vrasjes së 42-vjeçarit Egli Proga, janë publikuar disa imazhe të reja që tregojnë momentet kur ai u transportua në spital.

Në këto pamje, qytetarët shihen duke mbajtur në krahë Progën, i cili duket pa ndjenja ndërsa e fusin në ambulancë.Proga, i dhunuar brutalisht më 8 Gusht, u dërgua në spital në një gjendje kritike. Prokuroria e Korçës ka arritur në përfundimin se ka pasur ndërhyrje në kamerat e brendshme të lokalit ku ndodhi ngjarja.

Sot, Gjykata e Korçës vendosi të rikthejë në qeli tre persona, të akuzuar për moskallëzim të krimit.

“Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit ka bërë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetasve: Voltan Shkulakun, 40 vjeç, Arjan Manellari,  55 vjeç, dhe Leonidha Guçen, 47 vjeç, banues në Pogradec.

Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore”, në  “Arrest në burg”, për veprën penale “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës”, për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 1 Pogradec, ku humbi jetën shtetasi Egli Proga, 42 vjeç”, njoftoi këtë të shtunë Policia e Korçës.

Egli Proga, 42 vjeç, ndërroi jetë në 10 gusht të këtij viti, pasi u rrah nga shtetasi Denis Meçe, sipas organit të akuzës.

Instituti i Mjekësisë Ligjore bëri me dije se gjatë ekspertizës janë konstatuar dëmtime të mëdha në trupin e viktimës, kryesisht në ballë, në hundë, vesh, në faqe, në supin e matë të cilat janë shkaktuar me mjet të fortë mprehës, siç mund të jetë edhe goditja me grusht.

Sipas aktit të ekspertimit, shkaku i vdekjes së 42-vjeçarit ishte: “hemorragji në cipen e trurit dhe hemorragji e indit trunor”. Gjithashtu ndër të tjera thuhet se në mostrën e gjakut të Egli Progës u zbulua prani e alkoolit etilin në vlerën mesatare 2.82 g/ L.

Lidhur me këtë ngjarje policia e Korçës ka arrestuar shtetasin Denis Meçe nën akuzën për vrasje me dashje. Mirëpo,  Prokuroria e Korçës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për 29-vjeçarin, nga vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia, gjë e cila solli dhe revoltë të familjarët si dhe një “ping-pong” mes institucioneve të drejtësisë të cilët “pasonin” përgjegjësinë dhe fajin.

Ndërkohë, në dëshminë e dhënë para hetuesve 29-vjeçari tha se ai e ka qëlluar me shpullë Progën vetëm për ta qetësuar.

“Unë kam dashur t’i fus një shpullë ta qetësoja por, sa i jam afruar kam ngritur dorën ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më”, tha Meçe më herët, dëshmi e cila bie poshtë nga ekserptiza mjeko-ligjore e cila ka konstatuar se 42-vjeçari është dhunuar brutalisht.

Denis Meçe, si autori i dyshuari vrasjes së babait të dy fëmijëve, më herët orfroi përmes përmes avokatit të tij 10 milionë lekë të vjetra si garanci pasurore, që të mos qëndrojë pas hekurave deri në përfundim të hetimeve. Ai kërkoi falje, por sqaroi se nuk kishte  dashur ta vriste 42 vjeçarin.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *