Në familjen e pastorit, Akil Pano ka dasmë. Pastori i njohur dhe njëherësh kreu i koalicionit “Pro Familjes” pas disa ditësh do të martojë djalin e tij të vetëm, Xhonatanin.
Këtë fakt e ka zbuluar vetë Pano teksa ishte i ftuar në emisionin “Vizioni i pasdites” për të folur lidhur me martesën dhe bashkëjetesën.
Pastori tregoi se djali i tij prej 5 vitesh është në marrëdhënie me një vajzë. Duke marrë parasysh konsolidimin e kësaj lidhje ku vajza shkonte në familjen e Panos dhe vitet që ata kishin bashkë, pastori tha se i vendosi “ultimatum” të birit, që ose të martohej ose të ndahej nga e reja.
“Atëhere nëse ju jeni bashkë i thashë hajde ti japim lezetin kësaj gjëje”, tha Pano.
“Djali i m Xhonatani martohet pas 10 ditësh. Nisi të njohë këtë vajzën që në moshën 21 vjeç edhe kaloi 2 vjet-3 vjet, 4 vjet dhe u bënë 5 vjet, djali është 26 vjeç. Edhe i them të keqen babi kjo histori kështu nuk shkon më, ose ndahu nga kjo goca dhe merr kohë, shiko për dikë tjetër, s’je i bindur. E më tha e di që e ke mirë por unë s’jam si puna jote që je martuar që 20 vjeç, në kohën tënde, gjërat kanë ndryshuar.
Mirë, mirë i thashë por nuk ka kuptim kjo histori. Unë e kisha të rëndë realisht idenë që dy të rinj që duheshin, vajza vinte në shpi si shoqja e djalit, por unë nuk isha takuar kurrë me prindërit e saj. Atëhere nëse ju jeni bashkë i thashë hajde ti japim lezetin kësaj gjëje. Kështu që kemi dasmë javën tjetër”, tha pastori.