Javën e kaluar emisioni “Stop” transmetoi denoncimin e një qytetari nga Elbasani, i cili tha se kur u nda nga e dashura, me të cilën kishte bashkëjetuar për pak kohë, ajo hapi adresa false në Instagram dhe TikTok, ku i postonte foto nudo.
I riu tregoi se është drejtuar pranë Zyrës së Krimit Kibernetik në Policinë e Elbasanit dhe nuk i është marrë denoncimi. Pak ditë më vonë ai u shoqërua në komisariat, pasi vajza kishte bërë denoncim të njëjtë. Postimet në TikTok vazhdojnë dhe kërkesa e tij është, që të fshihen fotot e videot intime dhe ato adresa të mbyllen.
Në një bisedë me ish të dashurën, kjo e fundit i tha, që nuk ia fal që e la. Pas transmetimit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, që procedoi penalisht specialistin e krimit kibernetik në Elbasan për mosmarrjen e denoncimit. Materialet janë përcjellë në prokurori.