Dëshmia rrëqethëse për dy shoqet e vrara në 2005, reagon vajza e njërës prej tyre: “Më ra si bombë që babai im mund të ketë qenë autori”

Një ngjarje e rëndë u risoll në vëmendje ditën e djeshme nga emisioni “Pa gjurmë” në Report TV. Sipas një dëshmie 2 shoqet u vranë dhe u groposën nga kreu i bandës së Lushnjes, Arben Hoxha në dunat e Divjakës. Ky i fundit nuk jeton më prej 19 vitesh.
Arben Hoxha ishte bashkëjetuesi i Nertila Osmanit, kreu i një prej bandave famëkeqe të Lushnjës dhe u vra në vitin 2005. Me Nertilën ai pati një vajzë e cila së fundmi ka festuar 20 vjetorin.

Pas dëshmisë, e reja ka reaguar për emisionin duke shprehur dhimbje që mësoi se i ati mund t’i ketë vrarë të ëmën. Po ashtu edhe motra e të dyshuarit si vrasës, me profesion notere në Tiranë ka reaguar ashpër duke thënë se ky është inskenim dhe se kushdo që e ka thënë do të përballet me ligjin.

Vajza e Nertila Osmanit dhe Arben Hoxhës, Dajana Osmani, 20 vjecare ka folur në lidhje live për emisionin ‘Pa gjurmë’ në Report Tv për të treguar se si u ndje kur dëgjoi dëshmitaren kur tha se i ati dyshohet që t’i ketë vrarë nënën dhe shoqen e saj.

“Për mua ishte si bombë. Dje kisha 20-vjetorin dhe prisja lajme të mira për mamin dhe papritur marr vesh se babai im mund të jetë vrasësi i nënës sime. Ne jetonim me shpresë dhe ajo shpresë na mbante gjallë. I drejtohem institucioneve të vënë dorën në zemër dhe të zbardhin ngjarjen.

Për zonjën Enkeleda, ndoshta asaj i intereson më shumë figura e të vëllait por mua më intereson më shumë gjetja e nënës sime dhe ajo nuk ka pse ndërhyn fare. Nëse babai im e ka bërë këtë gjë, nuk e di… nuk kam fjalë ta përshkruaj, duhet të jesh në këpucët e mia. Nga momenti i djeshëm, cdo gjë është kot. Faleminderit për çdo gjë që po bëni. Ju falënderoj, nuk kam fjalë”, tha vajza e Nertila Osmanit.

Motra e Arben Hoxhës, Enkeleida Hoxha ka dërguar një mesazh në emisionin ‘Pa Gjurmë’ pasi një dëshmitare tha se vëllai i saj mund të ketë vrarë 2 shoqet Nertila Osmani dhe Sonila Kryeziu 19 vite më parë.

Hoxha e cilëson insekim ndërsa shprehet se kushdo që bën deklarata të këtij lloji do të përgjigjet para organeve të drejtësisë. Pasi lexoi mesazhin, moderatorja e emisionit, Odeta Dume sqaroi se janë të gatshëm për bashkëpunim me policinë në mënyrë që të zbardhet ngjarja së më shpejt.

“Jam Enkeleida Hoxha, me profesion Notere (24 vjet), motra e të ndjerit Arben Hoxha. Gjithashtu, motra tjetër e të ndjerit është Valentina Hoxha (Zace), ish Dekane, Anëtare Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Pedagoge e Avokate, me 40 vjet karrierë në fushën e drejtësisë. Na njoftuan qe keni dhënë një emision për Arbenin sot, nuk e di mbi çfarë faktesh jeni bazuar?! E vërteta nuk është kurresesi ajo që thoni ju nëpërmjet emisionit tuaj!! Nuk e di kush e inicioj këtë ngjarje dhe interesat e kujt jeni duke mbrojtur!! Do t’ju lutesha të mos nëpërkëmbni figurën e të ndjerit i cili ka 19 vjet që nuk jeton më!! Të garantoj që cdo njeri që është marr me këtë inskenim të ndyrë do të përgjigjet para organeve të drejtësisë!! Uroj të reflektoni sa me shpejt dhe të na lini të qetë në dhimbjen tonë!!” – ishte mesazhi i Enkeleida Hoxhës.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *