Një ditë më parë u njoftua se Prokuroria e Tiranës pushoi hetimet për vdekjen e Lear Kurtit. Sipas prokurorisë ekspertiza mjeko-ligjore ka përcaktuar se vdekja e 32-vjeçarit ka ardhur për shkak të mbidozës. I riu kishte gëlltitur qesen me kokainë që kishte me vete, në përpjekje për t’i shpëtuar kontrollit të patrullës. Por policia e shoqëroi në komisariatin numër 3 dhe 32-vjeçari humbi jetën. Ngjarja ndodhi më 19 tetor 2022.
Nëna e Learit në një reagim ditën e sotme për emisionin “Me zemër të hapur” është shprehur se nëse të birit do t’i ishte dhënë ndihma e parë ai mund të kishte shpëtuar.
Nëna e 32-vjeçarit u shpreh se djali i saj ishte i fuqishëm, duke shtuar se patrulla e policisë duhet ta kishte dërguar në spital dhe jo në komisariat.
“(Qan) Vetëm dy fjalë dua të flas. Në momentin që ka kapur djalin tim, dha shpirt aty, në duart e tyre nuk e dërguan në spital.
Djali ishte i fuqishëm, në atë gjendje nuk bëhej kurrë. Shkonte çdo mëngjes tek liqeni, bënte ushtrime fizike.
Duhej ta çonin në spital, pastaj të bënte policia punën e saj. Këtu kanë bërë shkelje. Në momentin që e kanë kapur, nuk di gjë dhe kamera nuk diskutohet dhe çdo gjë pastrohet, por Leari ka dhënë jetë në duart e tyre. Dhe në spital e kanë sjellë të vdekur dhe i vunë kot një vigon fallco. Leari ka dhënë jetë në duart e tyre, të policisë. Te Leari është dhe një shenjë të brinja, nuk e di, a me shkelm apo… unë shpresoj shumë të Gjykata. Çfarë të them unë e shkreta, ajo që u bë u bë, por nuk ka siguri këtu. Se si puna e djalit tim mund t’i vijë radha tjetrit, që nuk ia uroj askujt. Po të kishin vepruar siç duhet sot Leari do ishte o me mua ose çfarë do bënte shteti. Unë shkoj dy herë në javë te varri i djalit dhe i lutem Zotit të na takojë bashkë. T’i kishin dhënë ndihmën e shpejtë, se e kishin afër spitalin”, rrëfeu ajo mes lotësh.