Ka mbërritur sot në derën e Gjykatës së Korçës Denis Meçe, autori i akuzuar si dhunuesi i Egli Progës, i cili ndërroi jetë të shtunën në Pogradec. Autori pritej nga familjarët e viktimës të cilët mes dhimbjes kërkojnë drejtësi.
Siç dëgjohet edhe në video, mes britmave dhe lotëve, motra e viktimës, shan të përfshirët në ngjarje. “Dua t’i shoh”, dëgjohet teksa ulëret dhe qan e motra, ndërsa më pas vijon me zë të lartë; “Kafshë!”.
Vrasja e Egli Progës mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Pogradecit.
Në momentet e para kur i ndjeri u gjet në rrugë, mediat raportuan se sipas të dhënave paraprake, 42-vjecari në gjendje të dehur ishte rrëzuar dhe kishte gjetur vdekjen. Por konstatimet e para të mjekëve që tentuan t’i japin ndihmën e parë në spitalin e Pogradecit, ngritën dyshime se i ndjeri ishte dhunuar.
Dhe verifikimet e mëpasme të policisë me pyetjen e dëshmitarëve në vendngjarje dhe pamjet e kamerave të sigurisë dolën në përfundimin dhe Egli Proga ishte dhunuar nga Denis Meçe dhe tre persona të tjerë të cilët tashmë janë arrestuar nga policia e Pogradecit. Ngjarja kishte ndodhur jashtë ambienteve të lokalit.
Njoftimi i parë zyrtar i policisë ka qenë të nesërmen e ngjarjes ku njoftonte arrestimin e personave të dyshuar, të cilët pas një konflikti për motive të dobëta kishin goditur duke i shkaktuar vdekjen viktimës Egli Proga.
Sakaq mes dyshimeve nëse policia e Pogradecit ka tentuar apo jo të devijojë dinamikën dhe autorësinë e ngjarjes, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka urdhëruar nisjen e inspektimit në drejtorinë e Policisë së Korçës për rastin e vrasjes së 42-vjecarit, inspektim, i cili do të synojë verifikimin e të gjithë tërësisë së veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë.