Prej katër ditësh nuk dihet fati i një fëmije 3-vjeç, i cili është marrë nga gjyshërit e tij nga ana e të atit.
Rexhep Gjuni, 58 vjeç, është ndaluar nga policia pasi nuk tregon ku ndodhet i mituri.
Babai i 3-vjeçarit ka humbur jetën një vit më parë në një aksident automobilistik dhe i mituri jetonte me nenën e tij.
Uniformat blu prej katër ditësh po punojnë për gjetjen e të miturit, por ende nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhet.
Nëna e 3-vjeçarit ka deklaruar se gjyshërit kanë marrë si çdo javë nipin e tyre për ta mbajtur disa orë në familjen e tyre siç bënin zakonisht, por nuk e kanë kthyer më.
Ajo ka pritur disa orë dhe kur vjehrri me vjehrrën nuk i kanë kthyer fëmijën i ka telefonuar, por celulari i tyre ka rezultuar i fikur.
Gruaja ka bërë denoncim në polici dhe uniformat blu kanë arritur të gjejnë vetëm 58-vjeçarin Rexhep Gjuni, por jo bashkëshorten e tij dhe fëmijën.
Fillimisht 58-vjeçari ka deklaruar se fëmija ndodhet në Kukës te disa të afërm, por policia e Kukësit nuk e ka gjetur. Më pas, Rexhep Gjuni ka refuzuar të bashkepunoj me policinë.
“Jam e shqetësuar. Nuk e di ku ndodhet fëmija im. Nuk e di nëse është mirë. Kërkoj nga policia të bëjë të mundur gjetjen e tij. Nuk e di pse ndodhi kjo pasi nuk e kam penguar kurrë femijën të shkonte te gjyshërit e tij”, ka deklaruar nëna e djalit 3 vjeçar.