Dy të rinj nga Pogradeci, Ernest Dautllari dhe Erik Oshafi, shpëtuan një 31-vjeçar që po tentonte të hidhej nga ballkoni i katit të gjashtë të një pallati, këtë të enjte.
“Kemi qenë në xhami për të kryer faljen, pasi jemi besimtarë. Kur mbaruam, ishim në rrugë duke shkuar në shtëpi dhe pamë disa gra dhe fëmijë që po bërtisnin. U ngjitëm me sytë lartë dhe pashë një djalosh që po tentonte t’i jepte fund jetës”, tregon njëri prej djemve.
Në momentet e para, ata iu afruan dhe nisën t’i flisnin djalit, duke i thënë që të mos e bënte këtë akt, pasi ishte ende i ri. Pas katër minutash, dy policë arritën në vendngjarje dhe u përpoqën ta ndalonin me fjalë. Kur panë se i riu vazhdonte të tentonte, një prej policëve tentoi të ngjitej për ta ndaluar, por nuk pati sukses. Sipas të rinjve, ata morën guximin dhe ngjitën vetë për të shpëtuar jetën e tij.
“U ngjita dhe pasi pamë që dera ishte mbyllur, tentova ta shtyja, por nuk mund ta hapja. Pastaj përdora një dru për ta hapur. Kur hyra brenda, pashë që ai po godiste nënën e tij me bërryl, dhe ajo e kishte lëshuar për momentin. Në momentin që ajo u largua, e kapëm dhe e tërhoqa brenda. Ai vazhdonte të thoshte që ishte bullizuar dhe ishte lodhur nga fjalët e njerëzve, duke treguar shenja të konsumit të alkoolit”,- tregoi Ernesti.
Sipas Dautllarit, pas shpëtimit 31-vjeçari u ndje i lodhur dhe i tronditur, por u qetësua kur erdhën forcat e policisë, ambulanca dhe zjarrfikësja.
“U qetësua pasi ndihma e parë erdhi dhe pas kësaj ikëm. Nuk e dimë se si kishte nisur ngjarja, por kur pamë në rrjetet sociale, morëm vesh se akti ynë ishte shpërndarë”,– tha ai.
Të rinjtë theksuan se veprimi i tyre ishte bërë vetëm për hir të Zotit dhe se ndihma që i dhanë atij 31-vjeçari ishte e paçmuar.
“Kush shpëton një jetë, është sikur ka shpëtuar të gjithë njerëzimin,”- tha Erik Oshafi.