Policia e Vlorës ka dhënë detaje nga ngjarja e rëndë në Lungomare ku dy pronarë të një subjekti që jepnin motorë elektrike dhe monopatina me qira, kanë dhunuar efektivët e policisë duke i bërë për spital.
Raportohet se dy efektivët kanë pësuar fraktura nga dhuna e ushtruar, ndërsa ndodhen të shtruar në spitalin e Vlorës jashtë rrezikut për jetën.
Sipas uniformave blu, gjatë mbrëmjen së të premtes në Lungomare, punonjësit e qarkullimit rrugor të planizuar në këtë aks, gjatë kontrolleve të ushtruara për përdorimin e kaskave tek motorët elektrikë dhe monopatinat, kanë konstatuar shtetasin me iniciale D. J., në kundravajtje, të cilin e kanë ndaluar.Teksa po i komunikonin masës administrative, drejt efektivëve janë afruar dy pronarët e subjektit, vëllezër me njëri-tjetrin, ku shtetasi me iniciale D. J. kishte marrë motorin elektrik me qira.
Pronarët, konkretisht shtetasit Rudi Pashaj dhe Klaudio Pashaj të cilët ushtronin aktivitetin e tyre pa licensë duke zaptuar hapësirën publike, së bashku me shtetas të tjerë kanë debatuar verbalisht me punonjësit duke i kundërshtuar e më pas i kanë goditur me grushta.“Në vijim të veprimeve proceduriale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, oficeri i Prokurorisë ka bërë ndalimin e dy shtetasve R. P., 29 vjeç dhe K. P., 23 vjeç, (vëllezër), të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës”, informuan uniformat blu.
Dy pronarët e motorëve elektrikë u vendosën në pranga, ndërsa po punohet për kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në konflikt.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/ U konfliktuan fizikisht me punonjësit e qarkullimit rrugor, vihen në pranga 2 shtetas pronarë të një subjekti, për dhënien me qera të mjeteve elektrike.2 të arrestuarit ushtronin aktivitetin e tyre pa licensë duke zaptuar hapësirën publike.