Gjykata e Elbasanit ka caktuar sot masat e sigurisë ‘arrest me burg’ për 11 anëtarët e bandës së Laert Haxhiut. Ata u shoqëruan në Gjykatë mëngjesin e sotëm nën masa të rrepta sigurie. Ata u arrestuan pas rrëfimeve të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili ishte i pranishëm në seancën e sotme bashkë me ‘shoqen’ e Laert Haxhiut, Klea Gjata. Në përfundim të seancës, avokati i Gjatës tha se nuk mund të verifikohen dëshmitë e të penduarit për tre ditë.
“Ka një mungesë motivacioni të prokurorisë në veprimet hetimore të saj. Nuk ndodh që për 3 ditë të ketë verifikim dhe konfirmim deklaratash të një të penduari. Organi i akuzës ka përdorur metoda ekstra ligjore, për interesa te caktuara”, ka thënë avokati i Klea Gjatës, Detar Hysi.
Artan Tafani, 39-vjeçari i arrestuar 5 ditë më parë, pasi ishte në kërkim për vjedhjen në një ‘Exchange’, ka pranuar të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë duke zbërthyer 20 ngjarje të rënda kriminale, mes tyre dhe 6 vrasje. 39-vjeçari, i cili rezulton të jetë pjesë e bandës kriminale të Laert Haxhiut, në Lushnjë, ka zbuluar se dy prej vrasjeve të zbardhura kanë ndodhur në Greqi ndërsa 4 të tjerat kanë ndodhur në Elbasan Korçë, Lushnje, Tepelenë.
6 vrasjet e bujshme janë: Çajup Selimi, Alban Semaku, Albi Bashaliu, Lulzim Qorri, Fridmand Xhaferraj, Dikens Halili. Pas zbardhjes, Policia ka nisur një operacion, i cili është shtrirë në disa qytete të vendit. 12 u vunë në pranga ndërsa 4 janë ende në kërkim.