E folura me vonesë te fëmijët lidhet me autizmin? Logopedi: Grumbullojnë tension, ja kur duhet të shqetësohen prindërit

Fëmijë që nuk flasin ende mund të shfaqin edhe tensione apo sjellje agresive ndaj të tjerëve apo vetes.  Erges Eskiu, logopedi i ftuar në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, shpjegon se fëmijët që zhvillojnë  gjuhën me vonesë, duke mos u kuptuar nga prindi apo të tjerët, grumbullojnë tension që duan ta  shkarkojnë diku. Sërish, çelësi mbetet te komunikimi i prindit ndërsa logopedi këshillon si duhet të veprojnë  në këto raste.

Erges Eskiu: Duhet të bëhet mobilizimi pasiv. Ne i japim alternativë fjalën, komunikimin dhe ndërkohë kur fëmija shfaq sjellje agresive, mobilizohet për një minutë, në 10 sekondat e fundit i shpjegohet fëmijës që unë do të të lëshoj pas pak por ti nuk do ta bësh sërish këtë sjellje. Nëse do ta bësh, do të të mobilizoj prapë, nuk ka nevojë për ta ofenduar, nuk ka nevojë për dhunë, vetëm për mobilizim dhe asgjë tjetër që ai të fillojë të kuptojë që komunikimi është çelësi për të zgjidhur çdo gjë dhe jo dhuna.

Mjeku shton se duhet treguar kujdes edhe me gjuhën e përdorur ndaj fëmijës, epitetet ndaj tij sepse cenojnë vetëbesimin, ndonëse kjo s’ndikon domosdoshmërisht te e folura. Çrregullimet e të folurit mund të lidhen me probleme fizike apo psikologjike.

Erges Eskiu: Mund të ndodhë që të kemi një lindje normale, por që në një fraksion sekondi të mos oksigjenohet truri dhe të kemi një paralizë cerebrale infantiile, pra mund të kemi hipotomi totale muskulore dhe fëmija edhe pse mund të shkojë 2 apo 3 vjeç, ende s’i ka marrë këmbët sepse e ka muskulaturën e dobët, ka të vjella nga goja ose dalin jargë, gjuha është e dobët, muskulatura e gjuhës, e gojës është e dobët dhe nuk ka mundësi të prodhojë fjalë. Ndonjëherë edhe procesi i frymëmarrjes-frymënxjerrjes nuk është në nivelin e duhur për të prodhuar zë dhe për të folur normalisht, këto kanë nevojë për fizioterapi që në fillim dhe logopedi në moshë më të hershme.

Spektri i autizmit mund të jetë gjithashtu një faktor, por prindërit nuk duhet të panikosen. Problemet e të folurit nuk lidhen domosdoshmërisht me autizmin sepse ai karakterizohet nga sjellje tipike.

Erges Eskiu: Edhe spektri i autizmit jep problem në të folur, por jo çdo problem në të folur lidhet me autizmin.

Aldo: Mos të tremben prindërit që dëgjojnë tani.

Erges Eskiu: Jo, nuk kanë pse tremben prindërit. Në qoftë se fëmija juaj ka probleme në të folur por nuk shfaq sjellje tipike, nuk bën një veprim të përsëritur në kohë, fëmija juaj nuk ka problem  socializimi, pra e pranon kontaktin fizik, luan dhe qesh me shokët dhe shoqet, do të thotë që nuk ka asnjë problem me spektrin autik, thjesht do nxitje për të folur. Nëse fëmija është me një fjalë, prindi do të duhet të duhet të fusë një fjalë të dytë. Nëse fëmija kërkon me gisht “ujë, ujë”, nëna duhet t’i thotë “dua ujë” ose “mami  ujë”. Do të thoja edhe një gjë, ndotja e mjedisit ka sjellë një rritje të autizmit ose është vënë re që ka një lidhje mes ndotjes së mjedisit dhe autizmit. Në zonat urbane, çrregullimet e spektrit autik janë më të  larta. Në nivel global, 1 në 100 fëmijë është me autizëm, ndërsa në Amerikë kjo shkon 1 në 36. Ndotja e mjedisit nitrogjeni, bakri, kimikatet të cilat përdoren në zbutjen e plastikës, mund të japin dëmtim të metabolizmit qelizor, dëmtim të sistemit nervor dhe kanë bërë që të rritet spektri autik.

Më parë njerëzit e lidhnin me gjenetikën sepse njëri prind mund të kishte folur më vonë, por kjo nuk mbështetet gjerësisht nga mjekësia. Gjithashtu, dikur mjedisi ka qenë më favorizues sepse familjet ishin më të mëdha dhe fëmijët kishin kontakt të vazhdueshëm me pjesëtarë të ndryshëm. Njëkohësisht, nuk kishte studime apo informacione të hollësishme e të mjaftueshme për prindërit.

Në ditët e sotme, ata janë më të kujdesshëm për shëndetin e fëmijës dhe i dallojnë herët problematikat. Por ajo çfarë ndodh është se në epokën e teknologjisë dhe ekspozimit të fëmijëve ndaj saj, ndërveprimi real me ta është vështirësuar.

Erges Eskiu: Sot, e para është kultura shëndetësore që prindërit janë të predispozuar për ta kapur herët.

Aldo: Po, mamatë e reja, shtatzënë sigurisht që i bëjnë të gjitha kontrollet,  gjërat.

Erges Eskiu: Edhe zhvillimi i teknologjisë ose pas pandemisë ka ndodhur që duke qenë se qëndron para ekranit dhe krijon shokun virtual, shoku virtual është shumë egoist dhe nuk të lejon që të ndërveprosh ose të diskutosh.

Aldo: Ç’do të thotë? Pra ti thua që një 4, 6-muajsh që i vënë laptopin apo celularin përpara ai pëson një shok që nuk na e tregon?

Erges Eskiu: Ai fillon dëgjon muzikën dhe nuk e ka fytyrën e prindit përpara që të komunikojë me prindërit e tij por thjesht dëgjon muzikën ose disa fjalë në ajër. Nuk ka lidhje ose ndërveprim, bashkëbisedim mes shokut virtual dhe fëmijës, nuk zhvillohet qeshja sociale që mund të pengojë fëmijën.

Predispozita gjenetike ka 10% rëndësi në të folurin e fëmijës. Një pjesë tjetër ndikohet nga karakteristikat e tij dhe mjedisi përreth. Teknologjia i bashkëngjitet problemit duke krijuar “autizmin funksional”, vështirësi në raportet e reja apo ekzistuese dhe të folurin robotik. Logopedi thekson rëndësinë e komunikimit që prindërit duhet të ndërtojnë me fëmijën.https://www.youtube.com/embed/cXQNlWICaZg?si=G6mAl0lR10qaz0br

Erges Eskiu: Gjatë pandemisë,  duke qenë të papërgatitur prindërit, gjetën zgjidhje para teknologjisë ose  Youtube. Kjo mund të japë probleme të ndryshme në komunikim. E para  është, te fëmijë të rritur,   munden që të mbyllen dhe të krijojnë një lloj autizmi funksional. Që do të thotë, që këta fëmijë nëse qëndrojnë me orë të tëra para teknologjisë ose videolojërave, do të kenë vështirësi në ndërveprim social ose ndërtimin e marrëdhënieve të reja ose nëse i ndërtojnë këto marrëdhënie,nuk do të kenë fort mundësinë…

Aldo: Një mur vështirësie që ndërtohet ditë pas dite, orë pas ore, pa u kuptuar.

Erges Eskiu: Po, gjendja e tyre emocionale nuk  i lejon që ata të ndërlidhen apo të krijojnë shoqëri të reja, t’i mbajnë ato shoqëri. Mund të kemi të folur robotik…

Aldo: Po, këto ninxhat, e di.

Erges Eskiu: Që është prapë një problem tjetër gjuhësor që vjen prapë nga ekspozimi i tepërt i teknologjisë ose duke e vendosur fëmijën aty. Është shumë e rëndësishme që prindërit, mami e babi të  paktën gjysmë ore duhet të merren me fëmijën në ditë. Ta pyesin si ka kaluar, çfarë hallesh ka, çfarë gëzimesh mund të ketë përjetuar  ose çfarë ka ndodhur me jetën e tij ose mund të tregojnë rreth vetes së tyre, si  e kanë kaluar ditën dhe kështu fëmija ndihet që mami dhe babi është aty duke vendosur komunikimin dhe ai nesër, pasnesër nuk do t’u thotë kurrë prindërve ku ishe ti kur unë kisha një problem me shokun, ku ishe ti kur edukatorja ose mësuesja më foli, ti s’ke qenë asnjëherë për mua.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *