Gazetari Artan Hoxha ka treguar në emisionin “Opinion” se “molla e sherrit” mes Ervis Martinaj dhe Ervin Matas nuk ka qenë një femër, siç u raportua pas sherrit në ish-Bllok në vitin 2018 ku Martinaj mbeti i plagosur nga miqtë e Matës.
Sipas tij, përplasja mes të dyve është për një ndërtim shumë të madh në Tiranë. Hoxha tregoi se grupi i Ervis Martinajt ka marrë peng Ervin Matën në mes të ditës para RTSH-së dhe e kanë çuar në garazhet e një qëndre tregtare, ku e kanë mbajtur disa orë dhe i kanë ofruar 2 milionë euro që të tërhiqej nga ai ndërtim.
Artan Hoxha: Ka patur një ngjarje kur Ervin Matën e kanë marrë peng para RTSH dhe kjo ngjarje ka ndodhur në orën 11:00 të ditës. Është marrë peng nga grupi i Ervis Martinajt.
Blendi Fevziu: Si u mor peng?
Artan Hoxha: Në rrugë në anë të rrugës. Kanë dalë e kanë marrë e kanë çuar në një nga ata qendrat tregtare aty afër, në garazhdet e asaj. Është mbajtur për disa orë për çështjen e një ndërtimi shumë të madh në Tiranë. I është ofruar një pagesë 2 milion Euro që të tërhiqej si aksioner nga ai ndërtim që është duke u bërë aktualisht në Tiranë. Ai ka thënë që unë nuk kam lidhje me këtë punë sepse unë nuk jam vetë aty. Unë as nuk i dëgjoj të tjerët dhe as të tjerët nuk më dëgjojnë mua dhe në këtë rast nuk mund të përfshihem në këtë histori. Kjo ngjarje është bërë fiks në orën 11 paradite para RTSH, por nuk ka pasur hetim për këtë.