Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth tre ditë më parë, ku një fëmijë vetëm 3-vjeç ka ndërruar jetë pas ndërhyrjes kirurgjikale në klinikën dentare ‘Splendent’ të rruga e Kavajës. Mjekja dentiste që u mor me dhëmbët e vogëlushit, është Ina Xhaxho, vajza e mjekut Roland Xhaxhos i cili ka injektuar narkozën. Familjarët kanë kallëzuar mjekun duke e akuzuar se i ka injektuar dozë të lartë narkoze.
Mes shumë reagimesh, ishte dhe ai i aktores Eliona Pitarka, e cila mes lotësh tregoi se një vit më parë kishin dërguar nipin tek klinika dentare e mjekut Roland Xhaxho, dhe se pasi e kishin marrë në shtëpi, i ishte dashur 5 orë që t’i dilte narkoza.
Ajo shton se edhe pse kanë telefonuar mjekun dhe recepsionin, askush nuk i është përgjigjur.
“Para një viti kemi dërguar nipin tonë në atë klinikë. Pas narkozës që i ka aplikuar nipit tim për mbushjen e kësaj dhëmballe te kjo klinikë, iu desh 5 orë që të zgjohej. Pasi është zgjuar nipi kishte marrje mendsh, fliste përçart, ka vjellë. Dhe ajo klinikë asnjëherë nuk na u përgjigj në telefon për të na thënë nëse kjo ishte normale. Dhe pengu im më i madh është që nuk e bëra publike atë rast. Dhe them peng sepse kur i tregova rastin tim babait të 3 vjeçarit tha: “Ku ta dija unë se ku e çova djalin. Nëse do e dija nuk e kisha çuar”. Dhe ndjehem fajtore që nuk e bëra publik rastin”, thotë ajo mes lotësh.
Familja Spahiu e denoncoi ngjarjen në komisariatin nr 4. Rasti në ngarkim të mjekut Roland Xhaxhos, është referuar në prokurori për veprën penale “neglizhencë në mjekim.” Në hetim është edhe mjekja Ina Xhaxho. Po ashtu mësohet se Urdhri i Stamatologut ka nisur verifikimet për këtë rast.