Një 64-vjeçar nga Maliqi është vënë në prangat e policisë për zjarrvënie të qëllimshme në një tokë bujqësore në fshatin Sheqeras, pasi rrezikoi edhe një biznes aty afër.
Xhuma Halim i ka vënë zjarrin një toke të mbjellë me drufrutorë duke djegur disa prej tyre. Ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikëses që ka bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve. Ndaj tij rëndon akuza e shkatërrimit të pronës me zjarr.
Policia iu bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në një kohë kur situata me zjarret në vend është alarmante.
Njoftimi i policise Maliq
Ndezi zjarr për të djegur mbetje bimore dhe nga përhapja e flakëve u rrezikua një subjekt në aksin rrugor “Sheqeras-Maliq” dhe u dogj një sipërfaqe toke, arrestohet 64-vjeçari.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë dhe atyre zjarrfikëse mundësoi shuarjen e zjarrit.
Rreth orës 17:30, të datës 13.08.2024, sapo janë njoftuar për një rast zjarrvënieje, në aksin rrugor “Sheqeras-Maliq”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq kanë shkuar në vendngjarje. Në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse është bërë e mundur shuarja e zjarrit, ndërsa si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar i zjarrvënies, shtetasi Xh. H., 64 vjeç, banues në fshatin Orman-Pojan.
Ky shtetas ka ndezur zjarr në afërsi të aksit rrugor, për të djegur mbetje bimore, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është rrezikuar një subjekt (firmë frigoriferike) në aksin rrugor “Sheqeras-Maliq” dhe është djegur një sipërfaqe toke.