Erik Fullani, djali i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani është ndaluar nga policia në momentin që sapo kishte marrë pistoletën tip “Glock” pranë kompanisë security ku ishte i punësuar dhe më pas do të shkonte të shoqëronte personin VIP që kishte nën ruajtje dhe mbikëqyrje.
Një ditë pas shoqërimit të tij në polici, është zbardhur dhe itinerari që ka ndjekur Fullani. Mësohet se ai është konstatuar nga forcat “Shqiponja” gjatë momenteve që sapo e kishte marrë armën pistoletë, e cila sipas ligjit, në momentin që përfundon orari i punës, duhet të dorëzohet në vendin ku punon. Pas verifikimeve të bëra nga ana e policisë, pistoleta është dorëzuar pranë kompanisë.
Pas marrjes në pyetje dhe verifikimeve, Fullani është liruar, por ëhstë gjobitur me 20 mijë lekë të reja për xhamat e errësuara të makinës së tij.