Erion Veliaj reagon pas arrestimit: Më vjen keq për Ajolën, s’e lanë të marrë as djalin…

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas arrestimit të tij të sotëm, duke shprehur ndjenja të forta për situatën.

Ai e quajti arrestimin e tij një fund absurd të një kapitulli të gjatë, duke e kritikuar prokurorin e çështjes si një “prokuror lunatik”, që sipas tij është një “fyerje e gjallë e inteligjencës njerëzore.”

Veliaj e cilësoi këtë ngjarje si kapitullin e parë të një historie më të gjatë dhe u shpreh se tani nuk ka më detyrimin për të heshtur për çfarë ka parë në lidhje me familjen e tij nën çatinë e SPAK-ut.

Ai theksoi se ka respektuar vijën politike dhe se nuk ka bërë komente për procesin e hapur nga drejtësia, por tani ndjen se është koha të flasë.

Veliaj shprehu keqardhjen për familjen e tij, për nënën e tij dhe për bashkëpunëtorët e tij, duke theksuar se ai dhe familja e tij nuk kanë lidhje me akuzat për korrupsion.

Ai përfundoi duke shprehur besimin se e vërteta do të dalë në pah dhe se ajo është më e fortë se çdo pengesë që i bëhet.

Reagimi i plotë:

Nuk më befason ky fund absurd i këtij kapitulli të gjatë zvarritjeje sa në gojët e qenërisë mediatike dhe sa në duart e një prokurori lunatik, që është një fyerje e gjallë e inteligjencës njerëzore. Por, ky ishte vetëm kapitulli i parë.
Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut. Kam respektuar, si gjithë të tjerët, vijën tonë politike, jo komente për një proces të hapur nga drejtësia.
Besomëni, nuk është e lehtë të heshtësh kur të djeg lëkura sikur të fikin bishta cigaresh në trup nga idiotësitë që të thotë një prokuror, si ai që nuk la dëshmitar pa shantazhuar. E kam bërë me besimin që kështu duhet dhe nuk pendohem që kam shtrënguar dhëmbët.
Nuk besoj se mediat do të kenë kurajon të zbërthejnë një më një akuzat idiote dhe më vjen tmerrësisht keq që disa sipërmarrës kanë hyrë në dorën e atij të padituri epsharak, për shkak se kanë sponsorizuar aktivitete kulturore për Tiranën.
Më vjen keq për Ajolën, që as djalin nuk e lanë të çojë e marrë nga shkolla, por edhe kjo nuk më befason.
Më vjen keq për nënën time, që zemër plasur në çdo betejë timen këto 20 vite, s’ju ndanë peripecitë prej një jete sakrificash.
Më vjen keq për të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe dua ta dinë që nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani.
Më vjen keq për motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë, siç duket gjasat, përderisa më fusin në burg pa gjyq 3 muaj para zgjedhjeve. U them të gjithëve atë që i kam thënë kryetarit dhe kujt tjetër më ka pyetur: Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion. Kjo historia jonë është aq tragjikomike sa njerëzit s’do ta besojnë kur t’i dëgjojnë të zbërthyera një e nga një, idiotësitë e asaj akuze. Nuk do të jetë e lehtë, se në këto kushte nuk shpjegohesh dot si do dhe sa do, por kam një besim të madh se e vërteta është më e fortë se sa çdo mur dhe se sa çdo idiot që i bëhet asaj barrikadë duke abuzuar me pushtetin e drejtësisë.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *