Prefekti i Korçës Nertil Jole njofton se një familje me tetë anëtarë nga fshati Panarit, do të përfitojë një shtëpi të re të ndërtuar nga e para. Pas transmetimit të rastit në media, sepse familja jetonte në kushte ekstreme, Jole ka marrë iniciativë dhe thotë se ka gjetur donator.
“… kemi siguruar financim nga një donator i huaj dhe së bashku me ndihmën e një subjekti privat në Korçë, do t’i ndërtojmë nga e para banesën 5 fëmijëve, prindërve dhe gjyshes së tyre.
Projekti është realizuar tashmë nga inxhinierë të Drejtorisë Rajonale të ARRSH (Korçë), dhe punimet planifikohen që të fillojnë në muajin Mars ose Prill, sapo stina e dimrit të kalojë”, shkruan prefekti i Korçës.
Më tej, ai thotë se autoritetet po shikojnë mundësinë që familja të zhvendoset për disa muaj në një banesë tjetër në fshat, deri sa banesa e re të jetë përfunduar.