Ka punuar një jetë në fabrikë, por me daljen në pension mbeti vetëm pasi fëmijët u larguan jashtë vendit. Kjo 77-vjeçare nga Korça, ndihet mirë në shtëpinë e të moshuarve.
“Jam 77 vjeç kam ardhur për përkrahje, fëmijët i kam në emigrim, po kaloj shumë mire. Kam 8 muaj. E kam zgjedhur vete se fëmijët janë në emigracion dhe sa të rrija vetëm punëtore e mbyllur do kisha pasoja, u thashë fëmijëve më çoni të rri me shoqëri. Kam familje të mirë, por rrethanat e sollën të vija këtu”.- u shpreh ajo.Çdo vit e më tepër shtohet numri i të moshuarve në azil. Shkaku kryesor është emigrimi, thotë drejtoresha e shtëpisë së të moshuarve “Kenedi” në Korçë, Marleen Van de Voorde.
“Këtë verë kemi pasur shumë kërkesa për të strehuar të moshuarit e vetmuar. Gjithmonë ka qenë problemi që të rinjtë ikin dhe të moshuarit mbeten dhe tashmë familja nuk është në atë strukturë ku të rinjtë të kujdesen për prindërit e tyre. Mua tashmë më duket se është rritur kjo nevojë.” tha Van de Voorde.
Po kështu ka dhe të moshuar që nuk kanë të afërm dhe janë gjetur të braktisur.
“Shumica që nuk kanë fëmijë ose janë divorcuar gjenden në situatë të papërballueshme nuk kanë të ardhura ose shtëpi. I kemi gjetur të braktisur”, tha Marleen Van de Voorde. I tillë është dhe ky 80-vjecar që na tregon se pas divorcit u alkoolizua dhe mbeti rrugëve.
“S’kam të afërm, skam asnjeri, vetëm nipër e mbesa, por nuk u kam vajtur. Kam qenë shofer tërë jetën në park dhe komunale derisa dola në pension. Për kë të merr malli? Për asnjë! Kur s’më duan ata nuk i dua as unë. Kam një motër në Greqi, më thanë se ka ardhur në Shqipëri për pushime, por s’ka ardhur të më takojë. Këta të azilit më morën më bënë nder se unë kam qenë alkoolist i tmerrshëm, këta më bënë zap”.- u shpreh ai.
Në azilin “Kenedi” që menaxhohet nga një fondacion i huaj janë strehuar 31 të moshuar që kryesisht paguajnë shpenzimet me pensionet e tyre apo me të ardhurat e fëmijëve.