Linja e supermarketeve Conad ka reaguar pas videopërgjimeve të gazetarit Adriatik Doçi, ku ky i fundit dëgjohet teksa shpjegon se si gjobiten biznese, politikanë e deri te gjyqtarë.
Në videopërgjim, Doçi dëgjohet teksa shpjegon sesi nëpërmjet shkrimeve negative të njëpasnjëshme në portalet e drejtuara prej tij, ka fuqinë t’i largojë klientët nga Conad-i. Në këtë mënyrë ai thotë se arrin të fitojë marrëveshje me biznesin.
“Kështu funksionon. Përshembull me atë që ka Conad-in, unë kammarrëveshje. Që nuk e denoncoj. Po t’i nxjerr unë një herë, dy herë, nuk i shkojnë njerëzit atij. Jo si bëj reklamë unë atij, thjesht nuk e sulmoj”, dëgjohet të thotë Adriatik Doci.
Por Conad përmes një reagimi thotë se nuk ka asnjë lloj marrëveshje me gazetarin Doçi.
Reagimi i Conad Albania:
“Pas deklaratave të fundit të publikuara sot në disa portale, dhe rrjete sociale, të marra nga përgjimet, ndoshta të nxjerrja jashtë kontekstit, në të cilat flitet për një marrëveshje hipotetike, jotransparente, që përfshijnë ndër të tjera, emrin e Conad, e ndjejmë për detyrë të sqarojmë opinionin publik se:
Conad Albania nuk ka asnjë lloj marrëveshjeje me gazetarin Doçi, por vetëm ka nënshkruar një marrëveshje publiciteti ligjore dhe transparente me disa televizione, përfshirë edhe Report TV.
Më konkretisht, marrëveshja e fundit e nënshkruar me Report Tv dhe që zgjat 6 muaj, nga nëntori 2022 deri në prill 2023, ka të bëjë me sponsorizimin e një emisioni gatimi, i cili transmetohet çdo mëngjes”.
Kujtojmë se në tre përgjime të publikuara sot, gazetari Adriatik Doçi, botues i portalit “Prapaskena” dëgjohet teksa shpjegon skemën e gjobitjes dhe shantazhit ndaj bizneseve, politikanëve e deri te gjyqtarët e prokurorë.
Për më tepër lexo edhe: Gazetari u kap në përgjime duke treguar për gjobat ndaj biznesit, reagon Conad Albania: Nuk kemi asnjë marrëveshje me Doçin, çdo kontratë e jona transparente dhe ligjore