“Babi i thotë mamit se flet me muret, i ka vënë kamer te koka e krevatit”. Vajza 9 vjeç tregoi ç’ndodhte në shtëpinë e tyre

Janë zbardhur detaje nga dosja në ngarkim të 35-vjeçarit Jetnor Zhaboli, i cili u prangos dje në Tiranë pasi mbante të mbyllura në shtëpi bashkëshorten, nënën e tij dhe vazjën e mitur. Ky shtetas nuk i lejonte të dilnin dhe i monitoronte me kamera.

Siç thuhet në procesverbalin e mbajtur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, salla operative e Policisë së Shtetit është njoftuar për një konflikt në familje në zonën e Selitës së vjetër, pranë Xhamisë së Selitës.

Menjëherë, patrulla është nisur drejt adresës së dhënë dhe aty është konstatuar se dera e apartamentit ishte e mbyllur. Nga brenda, nëna e Jetnor Zhabolit është identifikuar dhe i ka thënë se në apartament ndodheshin bashkë me të dhe nusja e djalit me vajzën 9 vjeçare.

Ngjarja është zbuluar më datë 25 Janar 2024 dhe personat që ndodheshin brenda në apartament i kanë komunikuar efektivëve se Jetnori i kishte mbyllur dhe nuk kishin çelës për të hapur derën. Pas situatës së krijuar, bashkëshortja e 35 vjeçarit ka deklaruar në prani të psikologes se prej një viti e gjysmë jeton si në burg.

“[…] ka deklaruar se, ka prej nje vite e gjysmë qe jeton si ne burg, dhunohet dhe nuk ka kallezuar per shkak se e do burrin e saj Jetnor Zhaboli. Ka nje vite e giysem qe jeton ne banese me kamera, pa drite, nuk del vetem, nuk ka telefon dhe e mban te izoluar ne banese”, është shprehur bashkëshortja e Jetnor Zhabolit.

Më tej, ajo është shprehur se burri e merr çelësin sa herë që del nga shtëpia në mëngjes dhe ajo nuk ka asnjë komunikim me botën e jashtme.

“Gjate githe kesaj kohe nuk di gje per familjen e saj pasi ja ka nderprerë komunikimet. E ka dhunuar shpesh herë por nuk ka kallezuar këte fakt pasi e do burrin e saj. E ka goditur para dy ditësh tek shtëpia e vjehrrit me shkelmë ne shpatull pasi e akuzon se ajo flet me muret. Nuk ka asnje dokument identifikimi pasi bashkeshorti ja ka marr. Ka prej nje vite e giysem që perjeton kete situatë dhe nuk mundet me.

Ka kamera te levizshme ne banese, ka bllokues valesh, alarme, ka kamera te levizshme dhe ja vendos tek komodina e dhomes kur fle gjume eshte e monitoruar, e kontrolluar do moment. Shton se banesa ne korridor ka kamera te vendosur ne korridor, kurse pjesa tjeter eshte me kamera te levizshme. Ka blerë dhe aparat qe gjurmon valet. Gjate konflikteve dhe dhunes se ushtruar ndaj saj kane qënë prezente femijet e tyre”, thuhet në procesverbal.

Në procesverbal dhe nga këqyrja e jashtme e shtetases në fjalë, në pjesë e shpatullës është konstatuar një shenjë e madhe e mavijosur.

Pavarësisht kësaj sjellje dhe dhunës, bashkëshortja e të arrestuarit thotë se ai nuk përdor drogë apo medikamente të tjera. Në dëshmi del dhe një detaj tjetër tronditës për dy fëmijët e çiftit. Ajo është shprehur se Jetnor Zhaboli me vajzën e mitur 9 vjeçare sillet shumë mirë, kurse djalin 3 vjeçar e urren dhe e shikon me përçmim, sepse mendon se është “i racës së saj”.

Jetnor Zhaboli dhe bashkëshortja e tij kanë 15 vite të martuar dhe janë prindër të dy fëmijëve të mitur, një djali 3 vjeçar dhe një vajze 9 vjeçare. Në fillimet e veta çifti ka pasur harmoni të plotë, por siç tregon nëna e të riut, prej pak më shumë se një viti ai ka shfaqur probleme emocionale.

Nëna e Jetnorit ka treguar para oficerit të Policisë Gjyqësore se nusja e djalit është një vajzë e rregullt, besnike dhe e ndershme dhe nuk ka asnjë ankesë për të. Ajo tregon i biri ka filluar të ketë probleme prej 1 viti, duke pretenduar se dëgjon zhurma.

“Prej 1 viti e pak Jetnori ka filluar me probleme shqetesuese emocionele, dhe mendore mund ta themi, ka shqetesime sikur dëgjon zhurma ne mure te baneses, pergjime. Per këte shkak kane bere kontrolle dhe me specialiste dhe nga kontrolli nuk ka dal ndonje gje. Jetnori ka probleme te karakteri emocional te cilat mund te shkojne dhe mendore, e pranon me keqardhe si nëne se e ka djalin e ka pike te dobët.

Jetnori ka probleme pasi nuk ka zhurma ne banese dhe kur e ka kontrolluar ajo se bashku me bashkëshortin nuk ka pasur zhurma, jane sajesa te tijat, ja thote mëndja. Jetnori ka ankes ndaj bashkeshortes ështe xheloz per *****, i ka marr dhe telefonin, ***** nuk ka telefon. ***** eshte grua shembullore por Jetnorit ja ben semundja qe ka”, thuhet në procesverbalin e mbajtur në Polici.

Mes dhimbjes dhe trishtimit për gjendjen në të cilin ndodhet i biri, nëna tregon se gjithçka është deluzion i Jetnorit. Ajo ka rrëfyer në Stacionin Policor të Farkës dhe përpjekjet për të siguruar mjekim për 35 vjeçarin, por ai nuk ka pranuar.

“Jetnori kur bëne debate shperthen per pese minuta, me pas ledhaton femijet, ato 5 minuta i ka si pasoje e faktit se thote se dëgjon zhurma nga muret sikur degjon zhurma nga muret gjë që nuk eshte e vertet, fik dritat e lënë shtepinë pa drita dhe rrine shtëpia pa drita. I ka kerkuar si nëne i eshte lutur te mjekohet, ështe pergjeruar por nuk bindet, ka probleme djali dhe duan ta ndihmojme por nuk degjon”, ka thënë më tej e ëma e të riut.

Në dëshmi del se nëna e Jetnor Zhabolit shqetësohet dhe për fatin e dy fëmijëve të tij. Ajo thotë se dyert e brendshme të shtëpisë kanë shumë brava të vendosura në to dhe askush nuk i ka çelësat përveç të birit. Në rast se bie zjarr në pallat apo shtëpi, pohon ajo, ka frikë se askush nuk do mund t’i shpëtojë dot sepse askush nuk ka çelësa.

Nëna e të arrestuarit ka thënë para oficerit ku ka dhënë deklarim, se i ka kërkuar dhe burrit të ndihmojnë djalin të marrë mjekim, por nuk e dëgjon njeri.

“I ka kerkuar burrit, ja ka kerkuar por nuk i degjon njeri, me shume i shkakton probleme dhe femijeve, janë trembur femijet. Kerkon ndihme. Jetnori nuk pranon ilaçet thote nuk jam i semurë, jam ne rregull, nuk i pranon ilaçet. Kjo situatë ne koken e tij ka nje vite dhe na kerkon ndihme, i ka kerkuar ndihme por asgje nuk po zgjidhim asgje dhe sot na ka mbyllur ne shtepi…”, vijon dëshmia e nënës.

Dy fëmijët e mitur të Jetnor Zhabolit janë ata që e kanë përjetuar më keq dhunën dhe mbylljen e nënës dhe gjyshes në një apartament në zonën e Selitës së Vjetër në Tiranë. Bashkëshortja ka tentuar vetëvrasjen, ndërsa gjyshja është përpjekur që fëmijët të mos kuptojnë gjë nga dhuna.

Edhe përse e vogël, vajza ka parë çdo ngjarje në shtëpi dhe gjatë rrugës për në shkollë. Ajo ka treguar në prani të një oficeri dhe psikologes, se babai e dhunonte vazhdimishtë nënën. Madje, në shumë raste dhe pa arsye, por nëna nuk reagonte.

Dy ditë para arrestimit, në datë 22 ose 23 Janar, çifti dhe fëmijët kanë shkuar në fundjavë te shtëpia e gjyshes dhe gjyshit dhe aty Jetnori pasi i ka bërtitur gruas dhe e ka qëlluar.

“Babi i bërtet mamit pa arsye, ajo nuk bën ndonjë gjë. Babi bëhet shpesh i dhunshëm. Ndodhi dhe herën e fundit para dy ditësh në fundjavë, tek shtëpia e gjyshes dhe u zu dhe me gjyshin. Babi Jetnori e goditi mamin me dorë, kur kaloi që mori cigaret veshi xhupin dhe e goditi mamin tek koka dhe i tha “***”, ka treguar vajza e mitur.

Ajo rrëfen se të dy prindërit e çonin përditë në shkollë me makinë dhe babai e shanë dhe i bërtet të ëmës pa arsye. Madje, e mitura ka treguar se i ati i bërtet dhe vëllait 3 vjeçar.

“Babai i thotë mamit që ajo flet me muret dhe i ka vënë kamer mamit tek koka e krevatit për ta monitoruar çdo natë. Babi thotë se mami dëgjon zhurma po zhurma nuk ka”, tregon e bija. Situata në familje dhe dhuna që Jetnor Zhaboli ka ushtruar ndaj bashkëshortes ka ndikuar tek 9 vjeçarja edhe gjatë shkollës.

Ajo qan gjatë gjithë kohës në shkollë dhe kur e kanë pyetur shokët dhe mësuesit, nuk ua ka treguar arsyen. “Ndihet shumë mirë tani që po i tregon këto gjëra me ne”, thuhet në procesverbalin e mbajtur në prani të oficerit dhe psikologes.

Çdo fëmijë padyshim i do të dy prindërit pranë. Edhe pse Jetnor Zhaboli është “masakruar” në rrjete nga komentet e opinionit publik, dëshira e vajzës është: “Dua babi të mjekohet, dua që ai të shërohet”.

Ndër të tjera, në procesverbal evidentohet se vajza ka frikë për nënën e vet nëse gjyshërit që kanë ndjenjur këto ditë, do të largohen. Gjatë gjithë dëshmisë së saj, vajza e vogël tregon dhunën sistematike të babait ndaj nënës. Tashmë është drejtësia shqiptare që do të thotë fjalën e fundit, sikurse edhe po merr ndihmën e nevojshme nga uniformat e bardha për problemet e spektrit mendor që ka shfaqur.

Më poshtë është një pjesë nga letra që bashkëshortja e Jetnor Zhabolit kishte shkruar, duke menduar t’i jepte fund jetës.

Në porcesverbalin e mbajtur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, evidentohet se nga kontrolli apartamentit, në dhomën e gjumit është gjetur një valixhe e cila është hapur me kod nga 35 vjeçari. Në të janë gjetur disa letra me shkrime dorë, të cilat theksohet se kishin përmbajtje të forta emocionale.

“Më fal **** dhe **** s’mund të shkruaj shumë. Babi, nëna, gjyshi, halla, daja do t’ju flasin shumë për mamin. Do ju dua shumë edhe pse po ju lë. Bedri, Gela, Baci më falni por kurrë mos ndjeni turp për mua, s’ju turpërova kurrë.

Mami, babai, Tina faleminderit për gjithçka. Nori të dua shumë. Ky ishte gabimi im. Ju dua shumë nëse më doni dhe ju amanet fëmijët dhe duheni shumë njëri-tjetrin të gjithë. Asnji nuk ka faj për fundin tim, nuk e përballoj dot këtë stres”, shkruhej në letrën që gruaja e 35 vjeçarit kishte shkruar.

Gjetja e kësaj letre në valixhen e Jetnor Zhabolit ka komplikuar dhe më tepër pozitat e tij me autoritetet.

Përmbajtja e saj është bërë shkak që Prokuroria e Tiranës të ngrejë ndaj tij veç akuzës “Dhunë në familje” dhe akuzën tjetër për “Shkaktim të vetëvrasjes i mbetur në tentativë”. Gruaja e 35 vjeçarit ka tentuar t’i japë fund jetës dhe ky është një dokument sipas autoriteteve, që e provon.

/News Bomb

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *