Gjendet i vetëvarur 31-vjeçari në Pogradec, dy muaj më parë u shpëtua nga dy të rinj

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e vogël të Pogradecit ku një 31-vjeçar i ka dhënë fund jetës. Burime për mediat bëjmë me dije se 31-vjeçari është gjetur i vetëvarur në banesën e tij ku jetonte vetëm me nënën.

Kjo nuk ka qenë hera e parë që ai tentoi t’i jepte fund jetës. Kujtojmë se jo më larg se disa javë më parë, më 5 dhjetor, ky shtetas tentoi që të hidhej nga kati i gjashtë i banesës.

Ishin dy të rinj ata të cilët u kthyen në heronjtë e 31-vjeçarit. Ashtu si dhe raportuam më herët, dy të rinjtë arritën të shpëtojnë 31-vjeçarin, i cili nën efektin e lëndëve narkotike tentoi të hidhej nga dritarja e apartamentit në katin e gjashtë.

Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 4 të qytetit, ku e ëma në moshë të thyer përpiqej të ndalonte të birin të mos kryente aktin e rëndë.

Shumë njerëz u mblodhën poshtë pallatit, ndër ta edhe dy shokët Ernest dhe Eriku të cilët po ktheheshin nga xhamia. Dy “heronjtë” u ngjitën në katin e 6 ku edhe shpëtuan të riun nga vetëvrasja. Mirëpo, fatkeqësisht këtë të hënë 31-vjeçari i ka dhënë fund jetës duke vetëvarur.

“Ka qenë rreth ora 2, para se të ishim në vendngjarje, ishim në xhami. U nisëm për në shtëpi, dhe rrugës pamë njerëz që po bërtisnin. Pamë që një i ri po tentonte të vetëvritej, kishte hipur në motorin e kondicionerit.

Në momentet e para po i flisnim duke i thënë se nuk duhet ta bësh, pasi je ende i ri. Rreth katër minuta më vonë vijnë dy policë të cilët ishin njoftuar nga njerëz të tjerë. Dhe policët nisën t’i flisnim me fjalë të mira që mos t’i jepte fund jetës. U përpoqën ta mbanin disa minuta me fjalë të mira, por kur e panë që i riu nuk po vepronte atëherë një polic tentoi të ngjitej lart, por kur u kthye erdhi duarbosh. U ngjit prapë polici, prapë duarbosh erdhi”, rrëfeu i riu Ernest Dulellari.

Menjëherë pas kësaj, të dy të rinjtë u ngjitën vetë për të ndihmuar nënën e të riut.

“Kur hyra brenda pashë që personi po godiste mamanë e tij me bërryl me fytyrë dhe ajo për një moment e lëshoi. Në momentin kur mamaja e lëshoi unë u hodha drejt tij duke ia vënë dorën tek bluza dhe e tërhoqa përbrenda. Ndërkohë dhe unë po bërtisja për ndihmë, pasi ai tentonte vazhdimisht të shkonte drejt dritares dhe të hidhej”, tha ai.

Eriku, tregoi se personi që tentoi të hidhej nga lartësia, bërtiste dhe pretendonte se ndihej i padëshiruar në shoqëri dhe familje.

“Personi thoshte që “jam mërzitur nga fjalët e njerëzve, ata me tallin’. Pra ishte i bullizuar”, tha Erik Oshafi.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *