Gjykata e Beratit ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” pa afat për Natasha Rombula dhe Armando Kumarakun. Gruaja ka thënë se akuzat janë absurde. “E kam rritur vetë nipin, jam heroinë”, është shprehur ajo.
Dy personat në fjalë, postonin në TikTok video të një të mituri, djalit të Armando Kumarakut, me fjale banale dhe denigruese për arsye përfitimi.
Në rrjetet sociale qarkullojnë shumë video të të miturit ku dëgjohet të flasë me një fjalor banal, i shtyrë nga babai dhe gjyshja e tij.
Përveç nxjerrjes në Tik Tok të të miturit, ata kanë hedhur ‘Live’ prej muajsh edhe video ku shajnë, ofendojnë me fjalë banale dhe denigrojnë figurën e nënës së djalit.
Ka qënë kjo e fundit, shtetësja me iniciale E.A, ajo që ka kallzuar penalisht ish/bashkëshortin dhe ish/vjerrën e saj në muajin Dhjetor 2023, duke deklaruar se këta dy shtetas postonin në rrjetin social TikTok video ku shfaqej djali i saj i mitur 10-vjeç, duke përdorur fjalë denigruese dhe banale.
Menjëherë pas kësaj, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, nisi hetimet me metoda proaktive, duke finalizuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm arrestimin e tyre. Konflikti mes denoncueses dhe ish/bashkëshorti e ish/vjerrës së saj ka filluar 6-vjet më parë, kur nusja u divorcua dhe u larguar nga qyteti i Sarandës e u kthye të jetonte bashkë me djalin në shtëpinë e prindërve të saj në qytetin e Kuçovës.
Prej 6-vjetësh konfliktet mes dy familjeve dhe denoncimet e ndërsjellta kanë qenë të shumta. Pas ndarjes së prindërve, djali dy herë në muaj shkon tek babai dhe gjyshja në Sarandë dhe gjithë muajin Gusht qëndron po atje, sipas Vendimit të Gjykatës së Beratit pas ndarjes së prindërve.
Sipas burimeve policore, nëna çdo vit pas ardhjes së djalit nga pushimet e verës ka denoncuar faktin se djali kishte ndryshuar, përdorte fjalor agresiv me të dhe shokët dhe për këtë djali çdo vit është vlerësuar psikologjikisht nga psikologët.
Përpjekjet e nënës prej vitesh për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore babanë dhe gjyshen e djalit kanë qënë të kota, pasi djali ishte i mitur dhe nuk kishte prova të mjaftueshme ndaj tij, deri me sot kur ai dhe gjyshja e të miturit dolën hapur në rrjetin social Tik Tok, duke i mësuar fëmijës të shajë e ofendojë për të përfituar të ardhura prej tij por edhe duke sharë, ofenduar dhe denigruar figurën e nënën së djalit, mësuese në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “5 Tetori” në qytetin e Kuçovës.