Një tërmet tjetër ka tronditur banorët e ishullit Amorgo, pranë Santorinit.
Është tërmeti më i fuqishëm nga mbi 500 lëkundje të regjistruara vetëm në ditët e fundit. Sipas Institutit Gjeodinamik fuqia e tij ishte 4.9 shkalla Rihter.
Në mëngjesin e së hënës përveç 10 lëkundjeve nga 2.1-3.8 Rihter u regjistruan në zonën detare mes Amorgosë dhe Santorinit dy tërmete me magnitudë 4.2 Rihter. Megjithëse në ishullin e Santorinit vazhdon jeta normalisht ka shumë banorë që duan të largohen dhe kompania ajrore Aegean ka vendosur dy fluturime shtesë. Midis vendasve dhe turistëve që duan të largohen janë edhe shumë emigrantë shqiptarë që dërgojnë fëmijët ose shkojnë në Athinë apo vende të tjera të Greqisë përkohësisht.
Kujtojmë se komuniteti shqiptar në Santorini ka më shumë se 7000 vetë nga rreth 24000 banorë që ka ishulli. Mediat e huaja shkruajnë se si pasojë e lëkundjeve ka pasur rrëshqitje dheu gjë e cila ka shkaktuar panik tek banorët dhe vizitorët.
Siç mund të shihet dhe në pamjet e mëposhtme, pluhuri i madh ka pushtuar zonën pas një rrëshqitje dheu. Për shkak të kësaj situate, u vendos që të ndalohet aksesi në tre zona të Santorinit. Mediat raportojnë se intensiteti sizmik në zonë është intensifikuar dhe lëkundjet janë shtuar.