Nga Dashnor Dosti (Mësues matematike)
shte qershori i vitit 2017. Gruaja ime Elvira ndjen nje kokërr në gjoksin e djathtë dhe ndihej shume e shqetësuar. 9 muaj më parë motra e vet, vetëm një vit më e vogël se ajo, ishte diagnostikuar me kancer në gjoks. Ajo jetonte prej vitesh në Peskara dhe pas operacionit vazhdonte normalisht trajtimin mjekësor.
Ndërkohë ne filluam të shqetësohemi së tepërmi. Duke qenë se banojmë në Astir, shumë persona na rekomanduan klinikën mjekësore “Megis”. Thuajse të gjithë e kishin bërë një vizitë për një arsye ose një tjetër, tek kjo klinikë. Na rekomanduar doktor Mondin me shpjegimin se ai mund të na ndihmonte më pas edhe në spital, nëse do të ishte nevoja.
-E ka dorën pak të rëndë, por është i zoti thoshin. Unë i besoja të gjitha dhe i thosha me bindje edhe sime shoqe se gjithçka do të shkojë mirë.
Vendosëm ta fillojmë nga kjo klinikë vizitën. Na lanë një orar dhe paraqitemi në datën e orën e caktuar. Ishte thjeshtë një konsultë dhe doktori na rekomandoi një biopsi sa më të shpejtë. Kokrra ishte e formuar plotësisht, prandaj biopsia mund të bëhej pa operacion, por me thithje lengjesh me shiringë. Nuk e mbaj mend pagesën, por diku tek 300 mijë të vjetra besoj.
Sidoqoftë nuk është kjo ajo që dua të tregoj. Doktori na garantoi se vizitat në klinikë mund të shmangnin burokracitë e mërzitshme të spitalit. Atëherë pas biopsisë, dy javë pritje dhe pastaj rezultati. Oh çfarë torture! Dhe çfarë emocionesh kur doktori na priti dhe na tha: “Biopsia ka dalë shumë mirë dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Sidoqoftë kjo kokërr është mirë të hiqet. Zgjidhni një kohë të freskët, diku nga fundi i vjeshtës dhe jo tani në verë, mund ta kryejmë edhe këtu në klinikë operacionin, është në dorën tuaj”.
E falenderuam dhe dolëm. Fluturonim. Shkuam në shtëpi. Së pari për t’i dhënë lajmin e mirë motrës së saj. Pasi gëzuam e folëm gjatë, motra si pa të keq na thotë: “Sidoqoftë nuk keni asgjë për të humbur. Ejani këtu, unë tashmë njoh shumë mjekë e personel dhe di edhe se si janë rregullat, pra ejani dhe bëni edhe një kontroll tjetër”. I pari si zorra në prush kërceva unë. Mendoja shpenzimet e kota, sipas meje. I bindur plotësisht në rezultatet shumë të mira që morëm në klinikën “Megis”, mendoja se disa shpenzime të tjera ishin të tepërta.
Sidoqoftë unë ngelem në minorancë në muajin korrik gjithçka fillon nga e para në spitatin “Spirito Santo” në Peskara, Itali. E keqja ishte se gjithçka fillohej nga e para dhe duke llogaritur edhe kohen e vakët të gushtit, rezultatet e kontrolleve, të cilat ishin sipas një protokolli strikt, mundën të dalin vetëm në muajin shtator dhe rezultati ishte Tumor malinjë. Na u përmbys bota. Si mundet, thoja me vete. Ne i bëmë kontrollet në një nga klinikat më të mira të Shqipërisë, siç ishte ajo “Megis”
Nuk shkuam më kurrë tek ajo klinikë, por edhe ime shoqe për 20 muaj nuk u kthye nga Italia, derisa e përfundoi mjekimin intensiv të shoqëruar me operacione shtesë në organe të tjera. Ne vendosëm të shesim çdo gjë nëse do të ishte e nevojshme, por asnjë lloj vizite apo terapie nuk do të kryenim më në vendin tonë, në vendin ku prej vitesh paguajmë rregullisht sigurimet shëndetsore.
Tani kur kanë kaluar 7 vjet nga shfaqja e sëmundjes, besojmë se betejën me të e kemi fituar, por duke vuajtur shumë. Ne humbëm shumë kohë në fillimet e sëmundjes në klinikën e famshme “Megis”, por përvoja e keqe me të, pati edhe anën e vet të mirë, që na nxiti që shpëtimin ta kërkojmë larg vendit tonë.
Unë nuk dua të futëm në detaje të tjera se si shkoi trajtimi i saj në spitalin e Ortonës e Kietit, pasi ajo është pjesa e bukur e historisë, ndërsa sot unë zgjodha të flas vetëm për përvojën e keqe.
Shtesë: Nuk u nxita për të shkruar këtë status thjeshtë dhe vetëm për shkak të ngjarjeve të ditëve të fundit në spitalin onkologjik të Tiranës, sigurisht pa i përjashtuar edhe ato, por më shumë u nxita sepse pikërisht sot, kur kanë kaluar 7 vjet, Elvira shkoi në Peskara për një nga ato kontrollet e saj të zakonshme.