Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar një nismë të re për të luftuar informalitetin në sektorin e turizmit, duke bashkëpunuar me administratat tatimore të Holandës dhe Irlandës.
Objektivi i këtij bashkëpunimi është hetimi i individëve që gjenerojnë të ardhura nga platformat ndërkombëtare të rezervimeve, si Booking dhe Airbnb.
Kjo iniciativë synon të përdorë mjete të specializuara dhe teknologji të avancuar për të zbuluar të ardhurat e padeklaruara dhe për të ndëshkuar ata që shkelin ligjin. Po ashtu Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve paralajmëron të gjithë ata që ofrojnë akomodim përmes këtyre platformave të deklarojnë saktë të ardhurat e tyre dhe të plotësojnë formularin DIVA 2024 deri më 31 mars 2025.
Në rast të mosdeklarimit të të ardhurave, individët mund të përballen me penalitete të rënda.
“Lufta kundër informalitetit në sektorin e Turizmit. Administrata Tatimore Shqiptare, Holandeze dhe Irlandeze bashkojnë forcat për të investiguar me instrumente të specializuara individët që përfitojnë të ardhura nga platformat Booking & Airbnb! Për të shmangur penalitetet, ju ftojmë të deklaroni saktë të ardhurat dhe të plotësoni DIVA 2024 brenda 31 marsit 2025”, shkruan në njoftim Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.