Eranda Dishani është shoferja e autobusit që është bërë së fundmi virale në rrjete sociale, kjo pasi është ndër të parat femra që nget autobusin nga Vlora në Itali. Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ajo ka treguar se profesionin e shoferes e ka trashëguar nga babai i saj, ndërkohë ka kryer studimet për mësuesi.
Eranda theksoi se shpeshherë paragjykohet nga meshkujt, por kjo nuk e pengon që t’ia dalë mbanë.
“Unë babain e kam shofer. Pasi mbarova shkollën, fillova punë në një agjenci dhe më hipi kureshtja që çfarë kanë ata më shumë se unë. Edhe pronari më tha:’Hip se je zonja dhe mund ta ngasësh. Kam besim të plotë te ty.’ Kur e mora s’m’u fik, asgjë dhe aty mendova që ia dola edhe këtë radhë. Në momentin kur kam marrë patentën më tha instruktori: ‘Merre se do të jesh një trimëreshë dhe do t’ia dalësh.’ Kështu ia arrita dhe ia ku jemi. Kam punuar si mësuese gati 5 muaj në Tiranë dhe 3 muaj në Vlorë.
Normal që kam patur njerëz që më kanë paragjykuar dhe jam bërë e famshme edhe përmes një videoje në TikTok. Komentet e para ishin të mira, më pas nuk më pëlqenin. Sepse u dukej si diçka e paarritshme nga femrat. Deri në moshën 20 vjeçe kam qenë pas babait sepse kam qëne tip çuni se babi nuk ka djalë.”- u shpreh ndër të tjera Eranda.