Emineja dhe Qemali janë të ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të na prezantuar një histori aspak të zakonshme. Të ulur në mesin e publikut të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, motër e vëlla shpjegojnë një histori familjare të dhimbshme, ekzistencën e vajzës së tezes e cila dihej e vdekur për vite me radhë.
Gjyshi dhe gjyshja e tyre kanë patur 8 fëmijë, 4 vajza e 4 djem. Emineja dhe Qemali janë vajza dhe djali i Dijes, vajzës së madhe. Vajza e tretë, Qefserja, sipas informacioneve të Eminesë ka vdekur në lindje në moshën 21-vjeçare duke lënë pas një vajzë. Vajzën e morën gjyshërit nga i ati sepse në anën e së ëmës vajtonin bijën e vdekur. Kur ata patën mundësinë ta kërkonin, morën përgjigjen që vajza nuk ekzistonte sepse ajo kishte vdekur.
Por pas kaq shumë vitesh, familja ka mësuar se e afërmja e tyre është gjallë.
Emine: Unë di këtë tani se mamaja ime…
Ardit Gjebrea: E ka ndierë që ishte gjallë.
Emine: Shumë, edhe të dyja tezet se i shihja kur pinin kafe të treja bashkë dhe qanin po unë atëherë isha e vogël dhe nuk arrija ta kuptoja se isha 7 vjeçe. Një ditë prej ditësh, më thotë mamaja do vish me mua, shkuam atje, mami trokiti te një derë, na doli një zonjë me shami, një durrsake, ishte e moshës jo sa nënëa ime, ishte e madhe. Nuk na ftoi që të futeshim brenda dhe nëna më tha “largohu, luaj me fëmijët” aty dhe unë u largova se fëmijë, nuk dija se si. Pas 5 minutash dëgjoj që mamaja ime qante me ngashërimë.
Ardit Gjebrea: Pse?
Emine: Nuk e mora vesh sepse dhe më mori për dore dhe më tha, “hajde me mamin”. I thashë çfarë ke që qan, të rrahu? “Ajo më vrau” tha, “jo më rrahu” dhe qante gjatë gjithë rrugës.
Ardit Gjebrea: Dhe nuk e ke zbuluar kurrë se çfarë ishte?
Emine: Jo, më vonë kur u rrita më thotë mami që “të kujtohet që kemi shkuar atje?” Po, i thashë unë, tha “ajo ka qenë shtëpia e tezes tënde dhe motrës time që më ka vdekur dhe unë shkova të pyes nëse vajzën e kanë ose s’e kanë”.