Humbi syrin pas një operacioni, gafat e mjekëve në Shqipëri nuk kanë fund

Dyshimet nisën që në momentet e para për pacientin dhe familjarët e tij. Ai qëndroi në sallë përtej parashikimeve. Shumë më tepër se ndërhyrja e parë që supozohej se ishte e njëjtë.

Operacioni duhet të zgjaste 45 minuta, maksimalisht një orë.

“Kur ka dalë doktori u ka thënë familjarëve të mij që çdo gjë ka dalë me sukses, pastaj më kanë marrë për krahu familjarët dhe më kanë çuar në shtëpi se nuk isha në terezi. E shikoja dallimin mes syve. Kisha fryrje syri, kisha edhe shqetësime, ngacmime gjatë natës. Shkova të nesërmen tek klinika, heq fashon, çdo gjë e bardhë. Nuk shihja asgjë, i thashë doktorit nuk shoh. Mos u mërzit tha se ka ngelur thjesht bebja e syrit e hapur. Do bëjmë gjilpëra në sy që ta mbyllim, kur bëra gjilpërën e tretë e nguli thellë brenda në sy dhe u nxi syri u mbush plot me gjak”, u shpreh Sali Lela, denoncues.

Për këtë fatalitet nuk mbajtën përgjegjësi as klinika, as mjeku. Por ajo që bënë është të fusnin të riun Lela në një kalvar mjekimesh dhe operacionesh me shpenzime në kurriz të tij duke i dhënë shpresa të kota për rekuperimin e shikimit.

Inside Story disponon të gjithë dosjen e Sali Lelës që nga eskpertiza mjeko ligjore, faturat e paguara nëpër klinika të ndryshme shqiptare dhe europiane. Çështja është sot në dyert e drejtësisë ku Sali Lela ka depozituar një padi përmes avokatit të tij. Edhe pse kanë kaluar gati katër vite, dosja nuk ka marrë ende drejtim në organet e drejtësisë.

“Padiskutim tha që është faji i anestezistit që nuk të ka vënë dozën e duhur të anestezisë, kur takoj shefin më thotë tjetër për tjetër, nuk është faji jonë, as i anestezistit. Doktori ndryshe më thotë kur është vetëm me mua, ndryshe kur jemi me shefin. një herë më thonë të ka plasur hemoragji, por nuk është e vërtetë. Pastaj tha jo nuk ka plasur hemoragji. nuk është faji jonë, as ne nuk e dimë si ka ndodhur. Por unë i thashë që të erdha me sy, me këmbët e mia, nuk më mori njeri për dore. Kam dokumenta nga të gjitha klinikat që kam parë nga ky sy”, u shpreh Sali Lela.

Klinika private “Uzllova”, i mundësoi një operacion në Moskë, Lelës, por nuk pati asnjë rezultat. Dëmi ishte bërë. Mandej ai iu drejtua dy klinikave private, në Turqi dhe në Greqi. Të dyja klinikat I thanë të njëjtën gjë se shikimi nuk do ti kthehej më. Syrin ia kishin dëmtuar shumë. Por, ata nuk arrinin të kuptonin se çfarë kishte ndodhur gjatë ndërhyrjes fatale.

Sali Lela padinë e tij e drejton kundrejt Klinikës private dhe doktorit rus Andrey Anatolevic për veprat “Neglizhencë në trajtimin mjekësor” dhe “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”.

Referuar kartelës mjekësore të klinikës private ku u operua Sali Lela më 23/09/2019 shkruhet se kreu operacionin pa komplikacione. Por, i riu ka humbur tërësisht shikimin në njërin sy.

“Në gjykatë civile ai është duke kërkuar dëmin monetar që i është shkaktuar, pavarësisht se nuk po merret përsipër vendosja e protezës nga klinika dhe kjo është sërish një kosto shtesë për pacientin. Hiq faktin që është e tmerrshme që një njeri të humbasë syrin për një mjekim të pakujdesshëm, por ai ndodhet përpara këtij fakti dhe do që të minimizojë dëmin ekonomik të paktën”, u shpreh avokati, Bledar Meminaj./Top Channel

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *