Një tjetër i ri i cili studionte në shkollën “Siri Shapllo” në Gjirokastër vendosi që të ndërmerrte aktin ekstrem, duke i dhënë fund jetës.
Djaloshi që shihni në foto është pikërisht 17-vjeçari i cili në gjendje të rënduar psikologjike preu në mes ëndrrat e tij, rrugën e jetës, duke lënë pas në dhimbje të thellë familjarët, të ëmën, të atin e dy motrat e tij.
Vehip Peçi u gjet i varur mesditën e kësaj të diele në banesën e tij në fshatin Valare. Ishin pikërisht familjarët ata të cilët e gjetën pa shenja jete 17-vjeçarin në banesën ku dhe jetonte së bashku me të ëmën dhe dy motrat, pasi babai shkonte në emigracion për t’iu siguruar atyre të ardhura.
Ashtu sikurse raportuam dhe më herët familja Peçi kishin jetuar një periudhë të shkurtër në qytetin e Sarandës, para se të zhvendoseshin në fshatin Valare. Thuhet se i mituri edhe kur ishte në Sarandë, gjatë kohës që vazhdonte shkollën 9-vjeçare, bullizohej vazhdimisht nga bashkëmoshatarët e tij.
Ky fakt ishte kthyer në shqetësim për vetë të miturin, por edhe familjarët e tij, të cilët më pas u detyruan që të ktheheshin sërish në Gjirokastër.
Burime për mediat bënë me dije më herët se 17-vjeçari vuante nga probleme izolimi dhe melankolie, por nuk merrte asnjë medikament. Gjithashtu, ai vazhdonte studimet në shkollën “Siri Shapllo” në Gjirokastër dhe mësohet se ishte një nxënës me nota të larta.
Kujtojmë se gjimnazi në të cilin adoleshenti shkonte nuk është një emër i panjohur. Pasi jo më larg se dy muaj më parë, një nxënëse e të njëjtës shkolle, 17-vjeçarja Irsa Muçollari vrau veten pasi kishte rënë pre e bullizimit.
Nuk dihet nëse edhe Vehip Peçi bullizohej në ambientet e këtij institucioni apo jo. Policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.