Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me dhunimin e avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Sokol Mëngjesit.
Mësohet se autorët i kanë bërë pritë avokatit, sapo ai kishte lënë vajzën e tij në kopsht, në zonën e ish-Bllokut. Ata janë konfliktuar me fjalë, e më pas kanë nisur ta godasin, fillimisht me grushte e më pas me mjete të forta, në kokë dhe në trup.
Përfaqësuesi ligjor i Berishës dyshohet se është dhunuar për çështje pronësie, megjithatë ende nuk ka një pistë të konfirmuar.
Ai është dërguar në spital ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Sokol Mëngjesi ende nuk ka dhënë deklarimet e tij për hetuesit dhe se po i nënshtrohet ekzaminimeve në spital. Ndërkohë policia ka sekuestruar kamerat për të identifikuar autorët e ngjarjes dhe janë marrë në pyetje dëshmitarët në vendngjarje.
Njoftimi i policisë për rastin:
Njoftim paraprak i Policisë së Shtetit
Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është normale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.