I burgosur për vrasjen e policit, letra rekëse e Redion Hysës: “Shteti po ma merr jetën padrejtësisht”

Redion Hysa, i riu i cili akuzohet për vrasjen e policit Xhuliano Prelës, i është drejtuar me një letër gazetares Klodiana Lala, ku i sqaron të vërtetën e tij lidhur me këtë ngjarje.

Hysa në letrën e tij thekson se është duke u mbajtur padrejtësisht në qeli, pasi sipas tij është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje aspak me ngjarjen për të cilën po përpiqen ta akuzojnë.

Ai shkruan se Prokuroria e Lezhës nuk disponon asnjë provë e cila e inkriminon atë në këtë vrasje, përveç dy armëve që u gjetën në banesën e të riut për të cilat ai thotë se ia ka hedhur dikush tjetër.

Ndërkohë, përpos letrës së Redion Hysës, gazetarja Klodiana Lala shkruan, “Më mirë dhjetë kriminelë të lirë, sesa një i pafajshëm në burg”, duke besuar kështu te pafajësia e tij.

Redion Hysa dhe kushëriri i tij Sokol Hysa, ndodhen në qeli qe prej datës 29 dhjetor 2020. Ata u arrestuan nga Policia e Lezhës pasi kishin qëlluar me armë kamerat e një objekti.

Redion Hysa akuzohet për “Vrasje me dashje” parashikuar nga neni 76 i kodit penal, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe i municionit” “Kanosje” si dhe “Prishje se rendit dhe qetësisë publike”,

Postimi i plotë i Klodiana Lalës:

Redion Hysa: Prindërve ua mori jetën zoti, kurse mua po ma merr shteti padrejtësisht

“Më mirë dhjetë kriminelë të lirë, sesa një i pafajshëm në burg”…

Ky është rasti i Redion Hysës, që po mbahet në burg për vrasjen e oficerit të policisë Xhulio Prela.

Nga burgu, Redioni sqaron të vërtetën e tij përmes një letre drejtuar mua si gazetare. Kam pritur institucionet prej më shumë se një vit e gjysmë që të hetojë rastin, por asnjë reagim. Sepse faktet flasin, që Redioni nuk është autori i vrasjes së efektivit të policisë.

Rasti i Redion Hysës, është shkërmoqje e Reformës në Drejtësi!

LETRA NGA BURGU E REDION HYSËS

Përshëndetje znj.Klodiana Lala uroj të jesh mirë. Unë që po të shkruaj këtë letër, jam Redion Hysa, banues në Milot-Kurbin, i datëlindjes 17.05.2001, po ju shkruaj nga IEVP Lezhë burgu “Shën Koll”. Po të drejtohem me këtë letër për arsye se ka një vit që jam burgosur padrejtësisht. Me akuzojnë për një vrasje të një efektivi policie Xhuljano Prela. Prokuroria e Lezhës po më akuzon për një vrasje të cilën se kam bërë unë. Përpara se të më arrestonin, kanë kryer kontroll në banesën time rreth 6-7 herë, ku kontrolli ka qenë i imtësishëm dhe nuk është gjetur asgjë. Me datë 29 dhjetor 2020 policia ka ardhur për kontroll dhe unë janë drejtuar drejt e të një bot me ujë, që ndodhet në një soletë të vogël ku në të u gjetën dy armë, të cilat unë nuk isha në dijeni për to, që ndodheshin të shtëpia imë. Sa për dijeni ai bot uji ka qenë dhe i tejdukshëm dhe ishte fare e lehtë për tu parë. Një ditë më para që ishin kontroll dhe kontrolluan aty ku ndodhet boti i ujit.

Më datë 29 dhjetor 2020, kur më arrestuan në shtëpi ndodhej edhe djali i xhaxhait, i cili ka qenë mysafyr për darkë dhe e arrestuan bashkë me mua. Me sa kam kuptuar unë, ato armë janë hedhur nga dikush, i cili ka informuar edhe policinë.

Prokuroria e Lezhës nuk ka asnjë provë që unë të rezultoj në këtë vrasje, përveç faktit të këtyre armëve që më kanë hedhur në pronën time.

Sipas informacionit që kishte policie, që aty ndodheshin ato armë, nëpërmjet një sms-je, që është dërguar te stacioni i policisë Kurbin dhe asnjëherë nuk është faktuar ky numër nga ka ardhur sms-ja. E kam kërkuar këtë person disa herë të ballafaqohem, por asnjë nuk me jep informacion rreth kësaj dhe prandaj kërkoj ndihmën tëndë që të faktohen provat, pasi po me mbërthejnë dhe akuzojnë për një vrasje që se kam bërë dhe as nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Gjendja ime ekonomike është shumë e rënduar dhe skam asnjëri që të merret me këtë çështje, për arsye të një rasti tragjik të jetës time. Fatkeqësi aksidentale me vdiqn nëna dhe babai. Motra e vogël e mitur jeton tek dajat si dhe vëllai që kam mezi po mbijeton. Prindërve ua mori jetën zoti, kurse mua do të ma marrë shteti, padrejtësisht. Prandaj po ju drejtohem juve, e vetmja shpresë që kam, që të mendosh si për fëmijet e tu, në këto kushte që jam të më ndihmosh për zbardhjen e kësaj ngjarje, që po rëndon mbi mya. Do tju jem mirënjohës për gjithë jetën. Sipas informacionit që kam Komisariati i Kurbinit dhe Lezhës, disponojnë fakte reale lidhur me këtë ngjarje dhe autorin i cili e ka bërë krtë krim, por e mbajnë në fshehtësi, sepse dikush është i lidhur dhe inkriminuar me këta persona.

Me respekt

Redion Hysa

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *