Policia e Elbasanit njofton se ka ndaluar shtetasin Ferit Hysa i cili u denoncua nga emisioni “STOP” mbrëmjen e djeshme. 70 vjeçari u denoncua pasi akuzohet se kishte kryer marrëdhënie seksuale një 20 vjeçare me probleme të shëndetit mendor.
Ishte nëna e cila denoncoi në Polici abuzimin që i është bërë vajzës së saj. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan i ka caktuar 70-vjeçarit, masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”, ndërsa po hetohet në gjendje të lirë.
Njoftimi i Policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Në lidhje me një rast të transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Stop”, gjatë të cilit një shtetase 20 vjeçe, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe pretendon se një 70-vjeçar kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me të dhe se shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik nuk kishin vepruar konform ligjit, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale për këtë rast, ju bëjmë me dije se:
Menjëherë sapo shtetasja V. C. ka kallëzuar në ambientet e Komisariatit të Policisë Cërrik, mbi dyshimet e saj se shtetasi F. H. kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me vajzën e saj 20 vjeçe që vuan nga probleme të shëndetit mendor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik kanë regjistruar kallëzimin, kanë referuar materialet në Prokurorinë e Elbasanit dhe në drejtimin e kësaj prokurorie, kanë kryer një sërë veprimesh hetimore, me qëllim zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe të përgjegjësisë penale të shtetasit F. H.
Veprimet hetimore për zbardhjen e këtij rasti, të drejtuara nga Prokuroria, kanë qenë në përmbushje të plotë të detyrave funksionale dhe konform procedurave standarde e ligjore. Këto veprime kanë konsistuar në: ndalimin e shtetasit F. H., marrjen në pyetje të 20-vjeçares, në prani të psikologut, marrjen në pyetje të shtetasve V. C. dhe F. H., ballafaqimin e deklarimeve të këtyre 3 shtetasve, si dhe kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, me qëllim zbulimin e së vërtetës mbi këtë rast.
Konkluzionet e këtyre veprimeve hetimore, janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan e cila ka vendosur procedimin në gjendje të lirë të shtetasit F. H., 70 vjeç, banues në Belsh. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan i ka caktuar 70-vjeçarit, masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”.
Policia e Elbasanit siguron qytetarët dhe median se veprimet e kryera, me qëllim hetimin dhe zbardhjen e paligjshmërive, janë në përmbushje të plotë të detyrave funksionale të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, fton qytetarët dhe median që të denoncojnë çdo paligjshmëri duke iu garantuar reagim ligjor, të menjëhershëm dhe të paanshëm.
“Stop” kontaktoi edhe të dyshuarin, Ferit Hysa, i cili është kontradiktor në atë, që thotë. Ai tregon disa versione të ndryshme.
Gazetari: Donim të të pyesnim dhe ty sepse je më në moshë, si qëndron e vërteta?
Ferit Hysa: Kam katër vjet që rri këtu. Kishte hyrë lart poshtë, kishte hapur komotë e nuses dhe çunave atje. Unë asgjë, ça bëra.
Gazetari: Ato shenjat në gjoks?
Ferit Hysa: Çka komshi lart atje, kur e gjeta tek dera e shtëpisë se lidha delen mbrapa andej.
Gazetari: Pse nuk u the prindërve?
Ferit Hysa: Unë nuk kam muhabet me ta…
Gazetari: Kur të hyn dikush në shtëpi vjen dhe thua.
Ferit Hysa: Nuk e di. Unë erdha piva kafe, lidha delen, lash paqetën, telefonin përjashtë. Ku e njoh unë atë, nuk e njoh fare.
Gazetari: Ti e ke pasur komshi…
Ferit Hysa: Nuk kam pasur kontakt fare me ata.
Gazetari: Kur e gjete brenda e kuptove që ishte vajza e Benit dhe Valbonës?
Ferit Hysa: Te dera, për të dalë. Nuk e njihja se e kujt vajzë është. Asgjë nuk i thashë. Çfarë do i thashë.
Gazetari: Ti e mohon që nuk ke kryer marrëdhënie me të?
Ferit Hysa: Fare, absolutisht, asnjë lloj gjëje.
Gazetari: Ju ishit vetë në shtëpi?
Ferit Hysa: Vetëm. Familjen e çova në Itali tek çuni, të mbajnë gocën. Ajo bredh ikën atje, erdhi tërë baltë. Unë nxorra delen.
Gazetari: Ajo thotë ti i ke dhënë karamele?
Ferit Hysa: Kam qenë me dëshmitar aty unë.
Ferit Hysa: Me kushëririn tim.
Gazetari: Ishte dhe kushëriri brenda?
Ferit Hysa: Ishte kushëriri për momentin që i kam dhënë karamele unë.
Gazetari: Sa herë ka qenë në shtëpi ajo?
Gazetari: Ti një herë thua e gjeta me baltë nga delet, një herë ishte kushëriri.
Ferit Hysa: Ky e pa, veç kur erdhi në verandë, ne po pinim një teke raki, i hodha një karamele ashtu. Kaq ke nga unë.
Gazetari: Vajza ka probleme, por unë të isha në vendin tënd, një vajzë që më hyn 20-vjeçare me probleme mendore, e marr përdore e çoj tek prindërit…
Ferit Hysa: Nuk kam muhabet me prindërit e atyre se nuk më lidh puna mua o shoku, unë kam farefisin tim. Derisa nuk e kam numrin tënd të telefonin. Nuk merrem me ta mor zotëri se janë fis tjetër, unë jam Hysë.