Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar se Erion Veliaj ndodhet në burgun e Durrësit në një sektor të veçantë, ku janë vendosur ish-zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste. Mes tyre janë Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë, si dhe ish-deputetët Jurgis Çyrbja dhe Alqi Bllako.
Sipas Lalës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë një analizë të riskut për të vendosur se ku do të mbahej Veliaj. Fillimisht ishte menduar që ai të dërgohej në burgun 313 në Tiranë, por për shkak të tensioneve dhe akuzave të rënda nga të paraburgosurit e tjerë, u vendos transferimi i tij në Durrës.
Ajo tregoi se në sektorin ku ndodhet Veliaj, të burgosurit mund të komunikojnë lehtësisht mes tyre, pasi ndajnë vetëm një mur.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën një analizë risku për persona të caktuar. Nuk ka rrisk të shtuar për tu arratisur. Por, ndërkohe që caktohej masa e sigurisë, nga 313, të paraburgosurit filluan të hidhnin akuza të rënda në drejtim të Veliaj, duke e quajtur hajdut dhe mesa duket është parë i papërshtatshme për tu dërguar aty. Mund të kishte incidente dhe është parë si element rrisku. Duke qenë se Veliaj e ka adresën e banimit në Tiranë, ambienti i paraburgimit duhet të jetë afër, duke përjashtuar 302 apo 313, automatikisht ishte Durrësi.
Në Durrës është sektori i zyrtarëve të lartë. Është Ilir Beqaj, ish-ministër i shëndetësisë, është Jurgis Çyrbja, Alqi Bllako, ish-deputet i PS-së dhe bashkë me Erion Veliajn janë në të njëjtin sektor. Mjafton të thërrasin njëri-tjetrin dhe mund të përgjigjen, i ndan vetëm një mur dhe aty mund të komunikosh edhe pa hapur dyert. Është qeli që është ndërtuar enkas për zyrtarët e lartë. Veliajt vetëm rroba i janë dërgua në momentet e para,” tha Klodiana Lala.