Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ishin viktimat e asaj që tashmë do të mbahet mend si “Masakra e Dobraçit”. Ata, nuk janë akuzuar në të shkuarën për ngjarje kriminale. Ndoshta, hasmëritë e familjeve apo lidhjet shoqërore mes tyre, i vunë në shënjestër. Ata, paguan me kokë krimet e të afërmve dhe rrethit miqësor.
Kjo masakër, mori një tjetër jetë. Një grua 56-vjeçare nënë e 3 fëmijëve e cila nuk kishte asnjë lidhje me luftën mes familjeve të forta Lici dhe Bajri.
E ndjera Flutura Basha dhe bashkëshorti i saj Bashkimi, ishin në vendin e gabuar, në momentin e gabuar. Për ironi të fatit, ajo humbi jetën në zonën e Dobraçit, nga ka origjinën. Një zonë, ku shtrihet fortë influenca e familjes Bajri, rivalët e betuar të familjes Lici. Ndoshta, tragjedia për familjen Basha, do të ishte shmangur nëse dy bashkëshortët Bashkim dhe Flutura do të kalonin 60 sekonda më vonë apo më herët pranë vendngjarjes, aq sa zgjati batareja e breshërisë.
Ose ndoshta, nëse vrasësit do të tregoheshin sadopak njerëzor për të shmangur viktimat e pafajshme. Ato që i konsiderojnë mjaft ftohtë si “dëme anësore”. Dëme që për familjet e tyre sjellin boshllëk që nuk zëvendësohet kurrë.
Autorët e asaj ngjarjeje, nuk dihen, pavarësisht gishtit që drejtohet tek rivalët e familjes Lici në Dobraç. Pra, familja Bajri që zotëron influencë, e madje, edhe kontroll të padiskutueshëm në atë zonë ku ndodhi krimi. Viktima e pafajshme, të sjell në kujtesë dosjen e SKY ECC “Metamorfoza”, teksa Behar Bajri i shkruante një prej njerëzve të tij të kenë kujdes mos të vrasin njerëz të pafajshëm.
‘Behari i shkruan që sa të vijnë në Fushë-Krujë të them. I tregon që janë të gjithë, Bardhoku, Blerti, Gëzimi, Dori, Genci, dy makina plot. Behari i shkruan që gati i kam, vetëm të jetë info e saktë mos të vrasim njerëz kot. Po pres vetëm info. Dhe niklaqurët janë aty.
Në fakt, vdekja e Flutura Bashës, është vetëm viktima e fundit e një serie të gjatë njerëzish që janë vrarë gabimisht në atentate mafioze. Nëse kthehemi pas në kohë, në vitin 1997, gjatë trazirave humbën jetën mbi 1500 persona. Një pjesë e madhe, ishin viktima rastësore në vendngjarjet e krimeve. Edhe në dy vitet pasuese 1998-99, regjistroheshin rreth 500 vrasje në secilin vit. Nuk ka një statistikë të saktë, por viktimat rastësore përllogariten në disa qindra.
‘Kjo bëhet shumë më e dhimbshme kur e mendon që papasur konflikt, apo pjesëmarrje në krim, një person gjendet në vendin dhe kohën e gabuar ku grupet po lajnë hesapet mes tyre. Kjo është totalisht përgjegjësi e shtetit’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci