Detaje të reja kanë dalë nga zhdukja e të riut, shtetas australian, që nga tetori i vitit të kaluar në Theth duke shqetësuar dhe alarmuar familjen e tij.
Gjatë trajtimit të rastit në emisionin me “Zemër të Hapur”, bëhet me dije se Cameron Twiss kishte qëndruar me çiftin Mikel Vuksanaj dhe Irene Gjoni, pronarë të një hoteli në Shkodër. Më 11 tetor, Cameron darkoi me pesë shqiptarë në shtëpinë e Mikel Vuksanajt. Katër të tjerët ishin bashkëshortja e Mikelit, dy nga nipërit e tij dhe një tjetër shqiptar që qëndronte me ta. Më 12 tetor, ai u vendos në bujtinën “Kol Gjoni” në Valbonë, i shoqëruar nga Mikel Vuksanaj dhe një nga nipërit e tij.
Janë zbardhur mesazhet e 28-vjeçarit australian, Cameron Twiss, i cili rezulton i zhdukur në Valbonë prej 13 tetorit të vitit 2024.
“Flasin shqip. Mendova se do të vdisja”, ka shkruar Cameron teksa informonte vëllanë e tij se po konsumonte darkë me pesë persona.
Por, në një tjetër mesazh më pas, ai thotë se personat në tavolinë, të cilët komunikojnë në gjuhën shqipe, po flasin për çmimet e apartamenteve në New York.
“Tani e kuptova që po flisnin për apartamentet në Neë York City dhe nuk kishin ndërmend të më vrisnin mua”, vijon i riu.

Mesazhet e Cameron me vëllanë e tij
Cameron: Kisha një darkë të çudishme me një familje me 5 shqiptarë, me një ushqim të mirë. Të gjithë flisnin shqip. Mund të flisnin anglisht por folën në gjuhën e tyre. Teksa po haja darkë dëgjova një nga ata që thotë: “biznes si zakonisht”, çmimi nuk është i njëjtë, nuk janë çmimet normale, por mund të kompensohet me pak ajër që është i mirë”. Në këtë moment, mendova se do të vdisja.
Mesazhi i vëllait: Flet shqip ti? (Qesh)
Cameron: Tani e kuptova që po flisnin për apartamentet në New York City dhe nuk kishin ndërmend të më vrisnin mua.
Mesazhi i Cameron Twiss me familjarët e tij mban datën 12 tetor 2024, ora 22:49 minuta. Të nesërmen e 13 tetorit, ai largohet nga Valbona në orën 5 të mëngjesit së bashku me 50 persona të tjerë, të apasionuar pas hiking, por rrugës ndahet nga grupi dhe udhëton në drejtim të Thethit.
Më 13 tetor, rreth orës 05:30, Mikel Vuksanaj, nipi i tij dhe Cameron u nisën me një grup prej 50 shqiptarësh nga Tirana, drejt majës më të lartë në Shqipëri. Rreth orës 07:00, Cameron shprehu dëshirën për të shkuar direkt në Theth, në vend të itinerarit të planifikuar, dhe vendosi të ndahej nga grupi që do të ndiqte shtegun drejt majës. Ai pritej të mbërrinte në Theth rreth orës 11:00, për të ngrënë drekë dhe më pas të kthehej në Valbonë po atë ditë.
Atë ditë, Cameron shkëmbeu mesazhe zanore me dy miq dhe gjithashtu i dërgoi mesazhe zanore me përmbajtje të ngjashme një shoku tjetër. “”Mendova se do më vrisnin” Të gjitha mesazhet dhe informacionet rreth zhdukjes së shtetasit australian janë dorëzuar në Policinë e Shkodrës, por familjarët shprehen se autoritetet nuk kanë treguar ndonjë interes.
Të gjitha rrobat, laptopi dhe pasaporta e Cameron mbetën në shtëpinë e Mikel Vuksanajt, ku ai po qëndronte. Janë kryer kërkime intensive, si në terren ashtu edhe me dronë, për të parë nëse ai mund të kishte rënë diku, por pa sukses.
Vëllai i Cameron udhëtoi drejt Shqipërisë dhe u takua me shefat e Policisë në Shkodër dhe Bajram Curri, por ai thotë se ka shumë pak informacion në dispozicion. Lidhja telefonike e Cameron u bllokua disa ditë pas zhdukjes, pas përpjekjeve të pasuksesshme për të hyrë në të./BW