Në garën “The Voice of Greece”, vëmendjen e jurisë mbrëmjen e djeshme e rrëmbeu një shqiptar. Xhuljo Imeri, i rritur në Gjirokastër, pas performancës së tij me këngën “Stay ëith me” mori dritën jeshile nga të katërt anëtarët e panelit. Xhuljo kohët e fundit ka performuar në Greqi si artist rruge bashkë me të dashurën e tij Dhimitrën, dhe siç është shprehur kryesisht këndon dhe flet në anglisht, e pak në gjuhën greke.
Siç ka rrëfyer, Imeri ka pasur një jetë të vështirë, prej divorcit të prindërve, tek dyzimi për të hequr dorë nga muzika, por kritikat pozitive dhe dashamirësia e publikut e kanë bërë të rivlerësojë talentin e tij. Xhuljo luan gjithashtu në kitarë, shkruan tekste dhe ka publikuar edhe këngë në shqip, siç është “Më harro”, bashkëpunime si “Unë dhe ti”, dhe një sërë coverash të këngëtarëve të njohur.
Pas performancës këngëtari ka reaguar në rrjetet sociale përmes një statusi në gjuhën shqipe.
“Ishte ditë e gjatë shumë. Emocione te forta. Mendime shumë. A do ja dal? A jam mjaftueshëm i mirë? Para se të shkoja në atë skenë, kisha ankth, isha nervoz, i gëzuar dhe në të njëjtën kohë i frikësuar. Një skenë e madhe, audiencë me shumë njerëz para meje dhe katër njerëz me karrige të kthyera kundrejt meje. Artistë që kanë bërë histori. Dhe ashtu siç isha në këto mendime, pasi ngjita shkallët për të shkuar në atë skenë, i thashë vetes sime, që do bëj atë që di të bëj më mirë; të këndoj para njerëzve, të jap shpirtin, të bëj njerëzit të ndiejne diçka. Ata janë aty për mua, dhe juristët gjithashtu. Të më dëgjojnë mua, duhet t’i bëj të ndiejnë diçka… Dhe atë bëra! Edhe pse jo perfekte, këndoi zemra dhe shpirti!”, shkruan ndër të tjera muzikanti.