Rasti i ekonomistit 35-vjeçar Jetnor Zhaboli, ishte kryefjalë në media ditët e fundit, për shkak se i riu kishte izoluar brenda banesës së tij, bashkëshorten, nën e tij dhe vajzën e mitur, duke i monitoruar edhe 24 orë me kamera në çdo cep të banesës.
Babai i tij, Muharrem Zhaboli ka thënë në një intervistë për “Opinion” se gazetarët duhet të jenë më të “përmbajtur” me raportimet, pasi sipas tij po cenohet dinjiteti i një familjeje. Ai thotë se që prej publikimit të ngjarjes, gazetarët e kameramanët janë tërë ditën jashtë banesës së tij, gjë që përbën shumë shqetësim për të.
“Kjo çështja e medias është një persekutim më vete. Ekzagjerimi i lajmeve. Sepse njerëz jemi…Nuk është në interes jo tonin si familje, por as në interes të shoqërisë, drejtësisë, as të ardhmes që të shkatërrohet një familje. Se mund ta shkatërrosh shumë lehtë…Vështirë është për ta rikuperuar, për ta sjellë në norma, sjellje normale. Duke i rënë derës nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 4 pasdite gazetarët. Kamerat bllokojnë rrugën, shqetësojnë edhe komshinjtë, është e papranueshme. Është prekje e dinjitetit të një familjeje”, u shpreh Zhaboli.
Ai deklaroi gjithashtu se djali i tij kishte shfaqur probleme në aspektin psikologjik që pasi kaloi dy herë Covid-in. Muharrem Zhaboli u shpreh gjatë intervistës, se kamerat u vendosën në mirëkuptim me familjen dhe me gruan. Ai shton më tej se nuk e kanë çuar në spital për ta mjekur, pasi kishin frikë se ai mund të acarohej më shumë.
INTERVISTA
Muharrem Zhaboli: E kanë bërë bashkëbisedë, për ta siguruar shtëpinë se ne ikim andej. Vendosim disa kamera, se po na hapin derën e po na bëjnë ndonjë gjë, për siguri. Edhe vendosëm bashkërisht.
Gazetarja: Pra, ju po thoni që ka qenë edhe bashkëshortja dakord për vendosjen e kamerave?
Muharrem Zhaboli: Shumë dakord ka qenë.
Gazetarja: Po si është e mundur që në polici bashkëshortja, kur është pyetur, ka thënë që “unë kam qenë e izoluar” dhe ka pasur dhe dy letra që ka tentuar të vrasë veten. Si është puna e letrave?
Muharrem Zhaboli: Për letrat e kam pyetur unë, unë nuk di asgjë fare për letrat, por ajo ka qenë e rënduar psikologjikisht. E donte shumë. Edhe ai ishte i ngarkuar psikologjikisht.
Babai i Jetnor Zhabolit gjithashtu tregoi se djali kishte nevojë për një vizitë tek psikiatri, por nuk morën asnjë mjek, pasi nuk donin ta përkeqësonin gjendjen e tij apo ta acaronin më tepër.
Gazetarja: Ju mendoni që ai kishte nevojë për një vizitë psikiatrike?
Muharrem Zhaboli: Unë mendoj që ai kishte nevojë. Të tre ne e mendojmë këtë punë, bashkë edhe me prindërit e asaj, e nuses.
Gazetarja: I kishit konsultuar me krushqit?
Muharrem Zhaboli: Ishim konsultuar.
Gazetarja: Po pse nuk morët asnjë hap për shembull, nuk ju shkoi në mendje që mund të merrnit një mjek, të merrnit policinë, të merrnit ambulancën?
Muharrem Zhaboli: Po s’e bënim dot atë se thamë ne mos ta acaronim më shumë, e bëjmë më keq. Kështu mendojmë ne tani, se nuk e dimë gjë ne. Ka qenë problem i një viti, një vit e gjysmë se ky ka ardhur duke u rënduar.
Gazetarja: Ka ardhur duke u rënduar në këtë një vit?
Muharrem Zhaboli: Po, ka ardhur duke u rënduar. Realisht duke u rënduar, por gjithmonë ne ecnim me atë mendimin që ky do të reflektojë.
Gazetarja: Vajza ka shkuar çdo ditë në shkollë?
Muharrem Zhaboli: Çdo ditë, përveç të premtes.
Gazetarja: Po sot kush e çoi vajzën në shkollë?
Muharrem Zhaboli: Po këtë pra po them unë…
Gazetarja: Nusja e ka çuar vetë?
Muharrem Zhaboli: Nusja vetë me makinë, gruaja ime me të.
Gazetarja: Nusja është në shtëpinë tuaj apo është në Roskovec tek prindërit e vet?
Muharrem Zhaboli: Këtu tek shtëpia ime. Shko e shihe, ose si të duash. Është gruaja ime, bashkëshortja e djalit edhe dy fëmijët, i ke aty.
Gazetarja: A kishte skena xhelozie me gruan?
Muharrem Zhaboli: Absolutisht jo.