Zbardhet dosja hetimore në lidhje me plagosjen e efektivit të forcave Shqiponja në Tiranë, Edlir Alleshi, nga një person që qarkullonte i armatosur.
Dosja e prokurorisë ka treguar gjithë lëvizjen e autorit të ngjarjes, Klered Bozhanaj.
“Rreth orës 18:50 minuta, të datës 20, disa punonjës policie të Shqiponjave, mes tyre efektivi i plagosur, kanë patrulluar me motor në afërsi të një kompleksi në territorin e komisariatit nr.4. Efktivët kanë konstatuar një person duke ecur në këmbë, që sapo i ka parë, është larguar me vrap. Punonjësit e policisë i kanë bërë thirrje që të ndalonte, por personi i ka thënë; ikni ore, më lini rehat’ dhe është larguar duke mos ju bindur urdhrit të tyre. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje të këtij personi, i cili sapo është futur në hyrjen e një pallati ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të policëve, mes tyre Edlir Alleshi, i cili ka marrë plagë në bark. Më pas kolegu tjetër i ka ardhur në ndihmë policit të plagosur dhe e transportuan në spital. Më pas autori është fshehur.”, thuhet në dosjen e siguruar nga News 24.
42-vjeçari u kap gati 24 orë pas ngjarjes së rëndë, ndërsa për arrestimin e tij u angazhuan gati 600 policë.
Bashkëshortja e 42-vjeçarit Klered Bozhanaj deklaroi se burri i saj i kishte dhënë disa lekë djalit të tyre për të blerë fara dhe se po e priste jashtë banese dhe pas kontrolleve të ushtruara nga disa policë, ai ishte futur mes pallateve dhe se nuk kishte marrë vesh gjë për të, edhe pse kishin kaluar disa orë. Ajo tha mes të tjerash se në lagje kishte dëgjuar zhurma, pa dhënë detaje se për çfarë zhurmash bëhet fjalë.
Gruaja pa dhënë shumë detaje ka sqaruar se kishte nisur kërkimet në lagje bashkë me vjehrrin e saj për të mësuar se ku ndodhej 42-vjeçari. Ajo sqaroi se nuk kishte dijeni se ku ishte bashkëshorti i saj dhe se nuk kishte folur me të, pasi ai nuk dispononte telefon.