Fotini Kokeri, dikur basketbolliste dhe sot drejtoreshë fondacionesh, është vajzë nga Tirana dhe prej ‘97-ës jeton në Florida të SHBA-së. Sot ajo ishte në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV, ku tregoi historinë e jetës së saj, emigrimin në SHBA, në një periudhë të brishtë për Shqipërinë, vështirësitë që hasi, por pavarësisht ajo ia doli ta ndërtojë jetën nga zero në një shtet tjetër, që nuk ishte vendlindja e saj. Ajo sot është drejtore ekzekutive në rrjetin e një prej fondacioneve më të njohur në SHBA, fondacioni Koslosky. Në fakt ishte drejtoresha e këtij fondacioni Helen Koslosky, që i hapi dyert e shtëpisë dhe dyert e jetës Fotinisë dhe familjes së saj, për ta bërë më pas, njeriun më të besuar, duke i lënë pas vdekjes, fondacionet e saj.
“Ne aplikuam për lotarinë amerikane nga Greqia ku shkova të merrem me basketboll, në 1996-ën dhe fituam në 97-ën. Mes gjithë atyre peripecive të ‘97-ës, ne vendosëm të ikim në Amerikë. Unë me djalin dy vjeç dhe burrin, që është ish-burri im tani, u shpërngulëm në Neë Jersey, sepse atje nga priti një kushërira e nënës sime.
Ajo ishte e vetmja derë që na u hap. Ne nuk e dinim ku po shkonim. Në fillim asnjeri nuk na tha që mund të merrnim një apartament me qira, sepse ke nevojë për kredi, për pune. Atje kur aplikon te marrësh një apartament të kërkojnë dokumente që tregon ku punon, sa lekë bën, sepse merr kontratë 1-vjecare për shtëpi. Kur ulëm të dëgjoj muzikë shqip, them me vete që duhet t’i dërgoj një email Ambasadës Amerikane, për këto familje që fitojnë green kart, të bëjnë një kurs, një orë, të thonë, çfarë ju pret juve në Amerikë. Këto gjëra duhet t’i dije çdo shqiptar që shkon ne SHBA. Ne nuk dinim as gjuhën mirë.
Në Shqipëri unë isha vajzë e vetme, princesha e babait, vëllai që më përkëdhelte. Kur shkuam në Amerikë e gjeja veten duke qarë në banjë pa asnjë arsye. Unë kam mësuar si qahet në Amerikë. Ku shkuam në fillim nuk dinim asgjë, nuk dija as çfarë ushqimi të blija. Nuk kishte atëherë as Google, as iPhone. Hasëm shumë vështirësi edhe me komunikimin. Djali im kishte vështirësi në të mësuar, ai lexonte mbrapsht. Doja ta coja në shkollat më të mira në New Jersey. Por apartamentet për të jetuar ishin shumë shtrenjtë, 2500 dollarë. Ne nuk kishin as punë, as kredi nuk merrnim dot. Për fat të mirë pronarja e pallatit tim ishte zonja Helen Koslosky, që drejton fondacionet Koslosky në SHBA.
Familja Koslosky me origjinë polake dhe izraelite, e ka nisur real estate-n që në 1800-ën. Unë vajta tek ajo dhe me lot në sy i thashë: Unë vij nga Evropa, nuk kam punë, e kredi, por djali im ka një problem e dua ta çoj në shkollat më te mira që të ecë. Do t’i gjej lekët, do m’i sjellë familja nga Shqipëria e do t’i jap. Dua vetëm një dhomë e kuzhinë.” Bota është e vogël. Kur e ëma e Helinit, emigroi nga Polonia me fëmijët, askush nuk i jepte apartamente sepse kishte dy fëmijë. Asaj i kishte ngelur në mendje kjo histori që ia tregonte e ëma me lot në sy. Ajo u prek nga historia ime dhe ma dha apartamentin.
Më ndihmoi, nuk pagova qiranë e plotë, vetëm 500 dollarë për energjinë. Nuk më la të bëja punë, por vetëm të kujdesesha për pallatin kur nuk ishte ajo. Bashkë me burrin u kujdesëm për pallatin. Pastaj nisa të bëj një kurs anglishteje dhe po një shkollë që merrej me pasurinë e paluajtshme “real estate” Nuk mora klasa vetëm për real estate, por edhe për menaxhimin e pallateve, dyqaneve me qira. Pasi u diplomova, Heleni më mori në punë në biznesin e saj. Unë tani jam drejtoreshë ekzekutive e fondacioneve private te familjes Koslosky dhe i menaxhoj bashkë me dy fëmijët e mi. Ky fondacion është privat. Unë nuk bëj mbledhje fondesh.”, thotë zonja Fotini Kokeri në DritareTv.