Moderatori nga Kosova, Meriton Mjekiqi është një nga personazhet më të përfolur në shtëpinë e ‘Big Brother Vip’ pas afrimitetit me gazetaren Ilnisa Agolli. Dyshja janë parë më të afërt se kurrë ditët e fundit, ku ndër të tjera mbrëmjen e së shtunës shkëmbyen edhe puthjen e tyre të parë në buzë.
Në klipin prezantues të tij, Meritoni përveç karrierës dhe karakterit të tij theksoi se është edhe baba i një djali, të cilin e ka mbajtur larg vëmendjes së mediave edhe raportin me të.
Rreth kësaj deklarate ka reaguar edhe ish-partnerja e tij që është dhe mamaja e djalit në një rrëfim të gjatë në Instastory ku thekson se Meritoni nuk i ka dhënë djalit as mbështetje monetare e as atërore pasi nuk janë takuar kurrë.
“Para së gjithave, desha të bëj një sqarim rreth çështjes lidhur me Meriton Mjekiqin, njëkohësisht babai i djalit tonë, të cilin mund ta quaj baba ‘biologjik’. E përdor këtë term, pasi që Meritoni asnjëherë nuk e ka takuar djalin e tij live. Ndërkaq që Loarin, djalin tonë, e përdor vetëm nëpër rrjetet sociale sa për t’i ngritur imazhin vetes së tij.
Përderisa mua si nënë dhe familjen time na kërcënon tërë kohën. Turp! Unë dua të shoh djalin tim të lumtur e të ketë një jetë të qetë. Unë si nënë ndjej përgjegjësi ta mbroj fëmijën tim në të gjitha rrethanat dhe ta ruaj nga çdo e keqe, ta rris me nder dhe në rrugë të drejtë e jo të ndjekë hapat e babait të vet, jetë të degjeneruar e shfrenuar, i cili mendon vetëm famën dhe jetën e tij, nevojat e tij personale mbi atë të fëmijës-evladit. Ndaj kam vendosur të ndahem nga ai e ta rris fëmijën vetë ashtu siç edhe e kam bërë gati tri vite”, ka shkruar ajo.
Në postimet në vazhdim, Egesta ka theksuar se djali i tyre nuk merr as pensionin ushqimor nga babai dhe asnjë mbështetje financiare, duke i bërë thirrje të mos ia përmendë më emrin nëpër intervista.
“Ndërkaq që Meritoni nëpër media e përmend që mundohet për të dhe i cek kushtet e mira materiale kinse i rrinë tri vetura të parkuara e deri më tani asnjë dhuratë nuk i ka dërguar djalit të tij për asnjë ditëlindje të paktën dhe vazhdon kështu me gënjeshtra t’i bindë të tjerët.
Loari nuk e ka mbështetjen financiare as atërore nga Meritoni, të cilin kur e ka lënë familja, puna, shoqëria anash, i dola unë në ndihmë për vite me radhë, e ai këtë femër mundohet ta përulë e ta poshtërojë publikisht në vendin ku ai kthehet te ish-puna (Klan Kosova), ku ishte trajtuar më së keqi duke menduar se me të përulur një femër e ngriti veten”, ka shkruar ajo.
Në rreshtat e fundit dedikuar babait të djalit të saj, Egesta thotë se ‘baba’ është një titull aq i madh, të cilin sipas saj Meritoni, nuk meriton ta ketë nga djali i tyre, Loari.
“Mirëpo unë e fortë si çdo herë, dua të vazhdoj jetën me birin tim në qetësi e privatësi duke iu lutur që të mos na inkuadroni në intervistat tuaja. Dhe për fund: Baba është një emër i madh, të cilin ti nuk e ke merituar të të thërrasë dikush e aq më pak Loari. Ai do të rritet e do t’i kuptojë gjërat e do t’i zbulojë vetë ato. Për ty rëndësi ka fama e për mua djali im. Mos më përmend as për të mirë, as për të keq!”, ka përfunduar ajo.