Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Korçë, ku nënë e bijë Eleni dhe Ornela Vangjeli, 74 dhe 54 vjeç u gjetën të vdekura në banesë.
Sipas policisë, dyshimet janë që viktimat kanë ndërruar jetë prej ditës së diel, kur kanë humbur kontaktet me familjarët. Vajza dyshohet se mund të ketë pësuar atak kardiak, ndërsa nëna e cila ishte e paralizuar, ka vdekur pas saj, në pamundësi për të lëvizur, dhe për shkak të mungesës së ilaçeve në banesë.
Për të folur më shumë mbi këtë ngjarje, ka qenë e ftuar në lidhje Skype me emisionin „Shqipëria LIVE“ drejtoresha e shkollës ku punonte Ornela, Majlinda Duni.
Kjo e fundit është shprehur se ndihet mjaft e shokuar për atë që ndodhi dhe rrëfen bisedën e fundit në telefon me Ornelën.
„Na ka shokuar ngjarja që ka ndodhur, akoma nuk e besojmë. Ornela më telefonoi pasdite të dielën dhe më tha që nuk vinte dot në punë se kishte të ëmën sëmurë. Pastaj të hënën i shkruam por nuk po na kthenin më dhe mesazhet nuk u lexuan kurrë.
Të martën po ashtu i shkruam, e morëm në telefon. Të mërkurën biseduam me kolegët dhe ishim të mendimit t`i shkonim në shtëpi, por nuk na u përgjigj njeri. Nuk e besonim se dhe Ornela ka qenë gjithnjë e përgjegjshme në punë. Më e keqja kur morëm vesh lajmin që na tronditi nuk di çfarë të them. Ornela ka qenë gjithnjë e përkushtuar për familjen dhe nënën e saj.
Gjithmonë fliste dhe problemet me shoqërinë. Më ka marrë në telefon dhe më tha nuk vij dot se kam çuar në spital nënën se ka oksigjenin e ulët në gjak. Ornela kurrë nuk ka shfaqur një problem shëndetësor të vetin, gjithmonë e qeshur, gjithmonë i bënte njerëzit për vete. Asnjëherë nuk ka folur se ka pasur problem shëndetësor,” tha Duni.