“Ka turistë të mirë, ka dhe nga ata që dhj*sin në det “, Blendi Salaj tregon situatën në jug

Nga Blendi Salaj

Duke qënë se pati shumë polemika, po shtoj dy mendime të miat pasi der më tani thjesht kam ofruar fakte, pa asnjë opinion. A ka rënie të sasisë së turistëve këtë vit në jug. PO, madje jo vetëm në jug. Ka rënie deri në Velipojë. A e kanë braktisur shqiptarët e Kosovës bregdetin shqiptar? JO, në hotelin me pak dhoma ku rriija unë kishte 4 familje nga Kosova, 2 kishin ardhur nga Zvicra dhe Belgjika.

Të tjerë me autobusët e Sharr-it. Edhe në rrugë kishte. A ka më pak shqiptarë nga Kosova? PO, por kjo është normale. Ata do pushojnë ku të duan dhe tanimë që nuk kanë viza kanë gjithë të drejtën të shijojnë aventura të tjera. Plazhet nuk janë plot, por as bosh nuk janë. Me sy duket sikur ka 40% njerëz më pak se vjet. Por kjo është thjesht, me sy…Vjet unë mbeta shumë i kënaqur në Borsh, në një hotel të pastër dritë, me plazhin përpara, me shezllon për çdo anëtar familjeje. Me ushqim shumë të mirë, mëngjes të plotë, me staf të mrekullueshëm, me dhoma të mëdha, me WiFi dhe Netflix dhe qetësi dhe rehat.

Pastaj vajta në Sarandë dhe u skandalizova. Nuk gjeta asnjë nga këto por zhurmë, rrëmujë, staf që pasi punonin 14 orë, grindeshin me zë të lartë. Qyteti ishte në ngërç. Në një tavolinë jashtë na pikonte një kondicioner në pjatë. “Eeee, e kemi këtë problem,” – na tha kryekamarieri. “Por tavolinën nuk e heqim dot se kemi shumë punë. Tersi juaj.” Trafiku lëmsh, trotuaret gunga gunga.

Plehrat qelbeshin në kazanet pirg. Turistë që ulërinin napoletançe. Italianë që blinin plitka gazi në market për të bërë gjellën në ballkonet me qira. Maldivet vjet i kalova vetëm për të vajtur në Butrint, i vetmi vend që nuk frekuentohej aq shumë… na ikej nga sytë këmbët. Ditën që ikëm, nga porti deri tek rrethrrotullimi i fundit, 1 orë e 40 minuta.

Kam një damar prejardhje nga Saranda, ndaj flas pa të keq. Vjet në Sarandë duhet t’i hapje të huajt me shkop që të kaloje, sivjet ka mjaftueshëm vend në trotuar për të kaluar.Kthehemi tek ky vit. Po, ka çadra me 1,500 lekë (15 euro pët ata që s’flasin aritmetikën). Ka edhe me 10, me 30, me 40 dhe me 50. Tek Pasqyrat sot ishte 2000 lekë.

Ka njerëz shumë të përgjegjshëm sikundër ka që abuzojnë se janë budallenj dritëshkurtër. Ka oaze, ka dhe çmendina me muzikë tupci-tupci që të tunden edhe varrezat. Ka pushues të mirë, ka dhe që dhjesin në kabinën ku ndërrohesh me rroba banje, apo më keq, në det ku lahen edhe bebet. Ka nga të gjitha. Dhe jo, nuk jemi ende as afër Greqisë në raportin cilësi/çmim. Më vjen shumë keq ta them.

A është më mirë? Pak fare më mirë, por propaganda qeveritare i ka turbulluar ujërat. Disave iu mbush mendja se po bënim Spanjën të dridhet. Dyndja e vjetshme nga ka bërë dëm, sepse na u rrit mendja dhe sepse përvoja që u ofruam të huajve nuk ishte kushedi se çë.

Arsyet pse po shkon kështu duhet t’i analizojnë të diturit. Unë them vetëm ç’kam parë me sy.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *