Kryeministri grek përsëriti në Tiranë kërkesën për Fredi Belerin. Nëse më parë ai kërkonte lirimin nga burgu të Belerit, tani kërkesa ka ndryshuar. Greqia kërkon që ai të lejohet të betohet si kryebashkiak edhe në kushtet e paraburgimit. Më poshtë deklarata e Mitsotakis në Tiranë.
“Në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, Greqia mbështet perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. Kjo rrugë është e vështirë dhe kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë rregullime të rëndësishme në “acquis” evropiane. Dhe sigurisht, i vetmi parim që është i panegociueshëm për Bashkimin Evropian, por edhe për Greqinë, është respektimi i shtetit ligjor. Fatkeqësisht, muajt e fundit, Shqipëria ka bërë lëshime të rëndësishme për këtë çështje. E kam fjalën konkretisht për rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili prej pesë muajsh ndodhet në paraburgim. Dua të theksoj respektin tim për pavarësinë e gjyqësorit shqiptar. Nuk kam dëshirë të ndërhyj në mënyrën se si funksionon. Por dua të theksoj kategorikisht se Fredi Beleri ka të drejtë të betohet si kryetar i Bashkisë së Himarës, edhe nëse është në paraburgim. Zgjidhja e kësaj çështjeje është një kusht i domosdoshëm që Greqia të ndërmarrë hapin e radhës dhe të pranojë nisjen e procesit të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Dhe shpresoj dhe uroj që ky problem të zgjidhet në një frymë bashkëpunimi dhe humor të mirë, pa lënë në hije më tej marrëdhëniet e dy shteteve”, tha Mitsotakis