Këta janë 4 autorët që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesi

Policia e Tiranës ka identifikuar katër autorët që dhunuan avokatin Sokol Mëngjesin, mëngjesin e kësaj të mërkure në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Janë katër të rinjtë që shihni në fotot e mëposhtme, më konkretisht Dorian Alia, Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku.

Më herët doli edhe një foto e dy prej autorëve, të cilët shiheshin duke vrapuar, pasi e kishin lënë pa ndjenja avokatin, duke e goditur me leva në kokë. Siç shihet edhe në foto, agresorët kanë qenë të pamaskuar, por të veshur me kapele dhe me rroba të zeza.

Dhunimi i avokatit Sokol Mëngjesi ndodhi pranë kopshtit 31, në zonën e ish-Bllokut, kur ai sapo kishte çuar fëmijën. Agresorët i zunë pritë, teksa Sokol Mëngjesi po lëvizte në këmbë, në një zonë të frekuentuar nga shumë qytetarë e të mbuluar me kamera sigurie dhe e goditën disa herë me leva në kokë duke e lënë pa ndjenja.

Pas krimit, dhunuesit u larguan në këmbë nëpër rrugica ku i priste një automjet. Ndërsa avokati u transportua me urgjencë drejt spitalit.

Avokatit iu bë skaneri, ku u evidentuan dy hematoma në kokë për të cilat do të pritet për 48 orë për të parë parametrat shëndetësorë të tij. Ai është në gjendje të rëndë shëndetësore, teksa është futur në intubim.

Policia e Tiranës ka shoqëruar dy persona, po merren në pyetje nga grupi hetimor si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Burime bëjnë me dije se njëri prej tyre është vëllai i një prej autorëve.

Sokol Mëngjesi është avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, i Mirel Mërtirit në çështjen e Inceneratorit të Tiranës, teksa më herët ka qenë edhe avokat në çështjen e shtetasit turk Faruk Ozer, i arrestuar për mashtrim me kriptomonedha.

Sokol Mëngjesi ka dhe një karrierë akademike në Universitetin e Tiranës, ku momentalisht është pedagog në Fakultetin e Drejtësisë.

Rreth thealbaniantimes

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *