Dy adoleshentë që dhunuar një bashkëmoshatar mbrëmjen e kaluar në Korçë, janë arrestuar ditën e sotme. Mësohet se një adoleshent i tretë që mori pjesë në dhunën ndaj të miturit është shpallur në kërkim. I dhunuari është dërguar në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore, pasi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Njoftimi i Policisë:
Identifikohen 3 autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Korçë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta u dëmtua me mjete të forta, një shtetas i mitur. Vihen në pranga 2 prej autorëve, tjetri shpallet në kërkim. Sekuestrohen tre shkopinj që janë përdorur nga autorët e dyshuar, gjatë konfliktit për motive të dobëta. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas një pune intensive hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 08.10.2023, në lagjen nr. 12, Korçë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, u dëmtua me mjete të forta, një 14-vjeçar, bënë të mundur identifikimin e 3 autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, 2 prej të cilëve janë shoqëruar dhe pyetur në praninë e psikologut, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.
Në vijim të veprimeve, u bë ndalimi i shtetasve A. E., 17 vjeç dhe Dh. F., 15 vjeç, banues në Korçë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. L., 16 vjeç, banues në Korçë. Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga provat e siguruara rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë konfliktit, kanë goditur me sende të forta 14-vjeçarin, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, në kujdesin e mjekëve. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre shkopinj (dy prej druri dhe njëri metalik), të cilët dyshohet të jenë përdorur nga autorët e ngjarjes, gjatë konfliktit. Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.